Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj, siç e quan ajo, heshtjes e transmetuesit publik për intervistën e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga, pak javë para vendimit final në procesin që prej vitesh po përcillet nga opinioni publik në Kosovë.
Deliu thekson se çështja nuk lidhet me Hashim Thaçin si individ apo me simpati politike, por me standardet që duhet të respektojë një medium publik.
“RTK-ja nuk mund të sillet si zyrë informative e pushtetit, duke vendosur se cili zë duhet të dëgjohet e cili të zhduket nga ekranet e saj”, ka deklaruar Deliu.
Ajo ka kërkuar llogaridhënie për këtë, sipas saj, heshtje, duke theksuar se transmetuesi publik i takon qytetarëve dhe jo pushtetit.
“Për këtë heshtje duhet të japë llogari para qytetarëve”, përfundon Deliu.
Postimi i plotë:
Ish presidenti i Republikës flet nga Haga, pak javë para vendimit final në një proces që e ka përcjellë Kosova me vite.
Transmetuesi publik i Republikës: asnjë lajm.
Këtu nuk bëhet fjalë për Hashim Thaçin si individ dhe as për simpati politike. Bëhet fjalë për standardin minimal që duhet ta ketë një medium publik.
RTK-ja nuk mund të sillet si zyrë informative e pushtetit, duke vendosur se cili zë duhet të dëgjohet e cili duhet të zhduket nga ekranet e saj.
Transmetuesi publik është i qytetarëve. Për këtë heshtje duhet të japë llogari para qytetarëve.






