Rrëfimi prekës i Tomas Soucek: Pagjumësia dhe depresioni gati ma përfunduan karrierën

- Advertisement -

Mesfushori i West Hamit dhe kapiteni i Republikës Çeke, Tomas Soucek, ka zbuluar një periudhë shumë të vështirë të jetës së tij, gjatë së cilës kishte menduar edhe ta përfundonte karrierën si futbollist.

Në autobiografinë e tij “SUK”, 31-vjeçari rrëfen se për dy vjet vuajti nga pagjumësia, depresioni dhe frika për të ardhmen.

“Dy vite tmerri. Për një kohë të gjatë kisha turp të flisja për këtë. As prindërit e mi nuk e dinin se diçka e keqe po ndodhte, derisa vendosa ta shkruaja rrëfimin tim. Ishte diçka që më mundonte aq shumë, saqë mendova ta përfundoja karrierën”, ka shkruar Soucek.

Ai tregoi se shpesh shkonte në ndeshje pa bërë fare gjumë. “Për dy vjet luaja ndeshje pa mbyllur sy. Përpiqesha aq shumë të flija, sa përfundoja duke djersitur nga nervozizmi”, ka rrëfyer futbollisti çek, i cili pranoi se situata ishte bërë e papërballueshme.

Soucek kërkoi ndihmë nga specialistët dhe gradualisht arriti ta tejkalonte këtë periudhë.

Ai shpjegoi gjithashtu se festimi i tij karakteristik pas golave, duke imituar një helikopter, simbolizon ndjenjën e çlirimit dhe rikthimin e dashurisë për futbollin, të cilën për dy vite kishte ndier se po e humbiste.

Të ngjashme

Të fundit