Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti Special, ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e rezervave shtetërore, duke lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte vendosur që çështja penale të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Në mesin e të pandehurve në këtë rast është edhe ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me të pandehurit R.M., I.L. dhe H.G.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, vendimi ka të bëjë me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.68/2025, të datës 13 mars 2026.
Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, ndërsa R.M. për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Po ashtu, disa nga të pandehurit ngarkohen edhe me veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Kolegji i Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në ankesa, ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë është nxjerrë në përputhje me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat dhe dëshmitë që përmban dosja e çështjes.
Për këtë arsye, ankesat e mbrojtësve janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës në shqyrtim gjyqësor.
Me këtë vendim, Gjykata e Apelit konfirmon vazhdimin e procedurës gjyqësore në rastin e rezervave shtetërore. Të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.






