Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka paguar gjithsej 4 milionë e 889 mijë euro për persona që, sipas tij, kanë qenë pjesë e një organizate të shpallur terroriste nga institucionet e Kosovës.
Duke folur në Debat Plus, Rrahmani tha se këto pagesa janë bërë për gjashtë vjet për persona që, sipas tij, nuk kanë shkuar në punë, por kanë vazhduar të marrin paga nga institucionet e Kosovës.
“Fatkeqësisht kryeministri Kurti dhe kjo qeveri kanë financuar anëtarët e një organizate terroriste. Ashtu siç e deklaroi dhe e pohoi vetë kryeministri. Këto kanë mund të dalën qysh në ditën e parë që ka ardhur kryeministri, se ligji është i kjartë në këtë pikë; dikush që për një periudhë të caktuar nuk në punë, nuk duhet të ketë pagesë. Nëse 30 ditë një punonjës i institucioneve të Kosovës nuk ka shkuar në punë, nuk ka nevojë të i jepet pagat. Për 6 vjet ky pushtet i ka financuar këto struktura, i ka mbajt me paga dhe ata njerëz kanë qenë të angazhuar në aktivitete të tjera, kanë mund të jenë edhe pjesë edhe të aksioneve kundër institucioneve të sigurisë e popullatës. Vlera totale për këto vite që i ka financuar ky pushtet këta anëtar të kësaj organizate terroriste është 4 milionë e 889 mijë euro”, ka deklaruar Rrahmani.
Deklarata e Rrahmanit në Debat Plus vjen pas replikës që ai pati gjatë ditës në Kuvend me kryeministrin Albin Kurti lidhur me pagesat për persona që, sipas tij, nuk kanë ushtruar detyrat e tyre zyrtare.
Në përgjigjen e tij në Kuvend, Kurti iu referua një vendimi të Qeverisë së Kosovës të vitit 2015 për integrimin e punonjësve nga komuniteti serb në institucionet e Kosovës. Ai tha se disa prej tyre nuk kishin ushtruar detyra zyrtare dhe se institucionet kishin ndërmarrë hapa për transferimin ose largimin e një pjese të tyre.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se u ishin ndërprerë kontratat 29 zyrtarëve nga komuniteti serb në Ministrinë e Mjedisit dhe institucionet vartëse. Sipas tij, këta zyrtarë njiheshin edhe si pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e kishte shpallur terroriste në qershor të vitit 2023.
Kryeministri kishte deklaruar se këto çështje lidhen me probleme të trashëguara nga e kaluara, të cilat, sipas tij, nuk mund të zgjidhen menjëherë.






