Ronaldo Nazario është njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të epokës moderne, pasi ka lënë gjurmë të pashlyeshme me paraqitjet e tij në futbollin evropian dhe atë ndërkombëtar.
Ronaldo është fitues i dyfishtë i “Topit të Artë” dhe dy herë kampion i botës, ndërsa për Kombëtaren e Brazilit ka shënuar edhe 62 gola.
Ndonëse Ronaldo njihet kryesisht për periudhat e tij te Real Madridi dhe Interi, braziliani mund të ishte shndërruar në një legjendë të Barcelonës, po të mos ishte largimi i tij i papritur në vitin 1997.
Në një intervistë të fundit në emisionin “Stick to Football” të “The Overlap”, Ronaldo ka folur për vendimin e papritur për t’u larguar nga Barcelona, pas vetëm një sezoni fantastik në Katalonjë.
Ish-sulmuesi zbuloi se largimi nga Barça nuk ishte zgjedhja e tij, pasi në atë mes kishin ndodhur disa gjëra.
“Nuk ishte zgjedhja ime, sepse unë gjithmonë do të kisha zgjedhur të qëndroja te Barcelona, por ata vendosën që unë të mos qëndroja. Në fund të vitit 1996 kishim arritur marrëveshje për ta rinovuar kontratën”, deklaroi ai, sipas “Diario SPORT”.
“E nënshkruam kontratën e re, por në fund, tre apo katër ditë më vonë, më thanë: ‘Jo, nuk mund të të paguajmë aq shumë. Duhet të të shesim nëse dëshiron’. Unë u thashë: ‘Shikoni, unë dua të qëndroj, por kjo duhet të jetë e mirë edhe për mua, edhe për ju, për Barcelonën, në mënyrë që të vazhdoj këtu’”.
Sulmuesi, i cili shënoi 47 gola në 49 ndeshje gjatë sezonit të vetëm te Barcelona, shpjegoi se një ofertë shumë e majme nga Interi në fund e vulosi largimin e tij.
“Më pas, ata më ofruan përsëri shumë para dhe paguan shumën e nevojshme që unë të largohesha prej aty. Kështu që e pranova ndryshimin dhe sfidën që ai përfaqësonte. Dhe, natyrisht, paratë ishin të jashtëzakonshme. Në vitin 1996 kisha një kontratë me Barcelonën, nga e cila fitoja dy milionë dollarë. Interi më ofroi tetë milionë dollarë për të shkuar atje”, zbuloi ai.
Pavarësisht mënyrës se si u largua, Ronaldo këmbëngul se periudha e tij në Katalonjë ishte e veçantë. Ai vazhdon ta ketë për zemër qytetin dhe klubin.
“Kombinimi i klubit dhe qytetit ishte i jashtëzakonshëm. Barcelona është e bukur, ka plazh, klimë perfekte dhe një stil më të qetë jetese, të ngjashëm me atë të brazilianëve. E dini, në Evropë është acar, ndërsa në Barcelonë janë 18 gradë. Gjithmonë ka mot të mirë. Kombinimi ishte perfekt”, shtoi ai.
Ronaldo foli edhe për Bobby Robsonin, trajnerin që e solli në “Camp Nou”. Ai ia atribuoi tërësisht këtij të fundit meritën për transferimin e tij.
“Ai ishte një zotëri i vërtetë, një njeri i mrekullueshëm. Ishte personi më i mirë që kam njohur gjatë karrierës sime futbollistike”, tha ai.
“Ai ishte një trajner shumë i mirë. Stërvitjet ishin gjithmonë të këndshme, gjithmonë punonim me topin dhe seancat me të ishin shumë argëtuese. Ishte një mjeshtër i vërtetë i futbollit. Ai dinte gjithçka”.
Braziliani shpjegoi edhe mënyrën se si u realizua transferimi, duke i dhënë meritat Robsonit për dëshirën e tij për ta sjellë në Barcelonë.
“Është e qartë se transferimi ndodhi falë tij. Më kujtohet se para se të nënshkruaja, trajneri nuk pushonte së i thëni Nunezit: ‘E dua Ronaldon, pavarësisht çmimit’. Kështu, PSV-ja vazhdonte ta rriste çmimin, ndërsa Robson vazhdonte të thoshte: ‘Duhet ta sillni në Barcelonë’”, e mbylli ai.






