Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka parandaluar një vrasje të rëndë në kryeqytet, pas një operacioni hetimor të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Për këtë rast janë ndaluar tre persona të dyshuar për përgatitjen e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni është zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe AKI-në, lidhur me dyshimet për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Më 28 nëntor, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy persona për 48 orë. Ata dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprës penale të vrasjes së rëndë”, nga neni 173, lidhur me nenet 27 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 i këtij kodi, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të personave të dyshuar, sigurimit të provave materiale dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, edhe sot, më 29 nëntor është ndaluar një person tjetër për 48 orë, me urdhër të prokurorit kujdestar. Edhe ky person dyshohet për përgatitjen e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.
“Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar armë dhe municion, përkatësisht një (1) pistoletë me shurdhues dhe pesë (5) fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një (1) armë të shkurtër të llojit TT me shtatë (7) fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, parandalimin e veprave të rënda penale, si dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.






