Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të shtunën mbrëma në Prishtinë anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku është formalizuar marrëveshja për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.
Sipas marrëveshjes, Enkel Rexhepi do të jetë në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Marrëveshja bashkon 24 nga 29 anëtarët e sapozgjedhur dhe parasheh ndarjen e përgjegjësive institucionale, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe përfaqësimin e secilës listë.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të konfirmuara më 26 nëntor nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi, lista PVD–AL, me në krye Enkel Rexhepin, ka dalë e para me 4 mijë e 752 vota dhe 10 mandate.
Ndërkaq, LPD–PDSH me Shqiprim Musliun ka fituar 9 mandate, APN me Levent Qazimin 5 mandate, ndërsa PD–LR me Sali Salihin po ashtu 5 mandate.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se marrëveshja mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të rezultatit zgjedhor dhe bashkëpërgjegjësisë institucionale.
“Kryeministri Kurti dhe anëtarët e sapozgjedhur theksuan se në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucion i përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë, por bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi institucionale”, thuhet në njoftim.
Qeveria ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe në avancimin e të drejtave të tyre individuale e kolektive.






