Ish-prokurori i Hagës, Nice: Kosova u detyrua ta pranonte Specialen, statuti u hartua në Bruksel dhe Uashington

- Advertisement -

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice, ka deklaruar se Kosova është detyruar ta pranonte themelimin e Dhomave të Specializuara, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u zhvillua procesi i krijimit të kësaj gjykate.

Në një intervistë me ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, të publikuar në platformën The Balkan Bubble, Nice ka treguar se gjatë bisedimeve për statutin e gjykatës, ekipi i Kosovës kishte kundërshtuar disa nga propozimet e paraqitura.

Sipas tij, pas këtyre kundërshtimeve, negociatat me partnerët perëndimorë praktikisht kishin përfunduar, ndërsa statuti ishte hartuar në Bruksel dhe Uashington dhe më pas i ishte dorëzuar Prishtinës.

Nice, i cili kishte qenë pjesë e ekipit të Kosovës në këto bisedime, ka treguar se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte kërkuar garanci më të forta procedurale për të akuzuarit.

Një nga propozimet që ai kishte mbrojtur lidhej me mbikëqyrjen nga gjyqtarët të procesit përmes të cilit prokuroria i dorëzon mbrojtjes materialet që mund të jenë në favor të të akuzuarve.

Sa i përket aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Nice ka theksuar se nuk i ka dëgjuar provat e paraqitura gjatë gjykimit dhe se vlerësimi i tyre u takon gjyqtarëve të apelit.

Ai ka vënë në dukje se katër të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa dënimet kanë të bëjnë me krime lufte.

Sipas tij, në procedurën e apelit duhet të shqyrtohen edhe argumentet që lidhen me mënyrën e themelimit të Dhomave të Specializuara dhe nëse ato i përmbushin standardet e pavarësisë dhe paanshmërisë.

Nice ka kërkuar që gjyqtarët e apelit të trajtojnë edhe argumentin lidhur me përshkrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si organizatë me strukturë të centralizuar, duke theksuar se kjo duhet të krahasohet me gjetjet e Tribunalit të Hagës në çështjet e mëparshme.

Të ngjashme

Të fundit