Kjo festë nuk simbolizon vetëm historinë, sakrificën dhe krenarinë kombëtare por edhe lidhjen e veçantë shpirtërore, kulturore dhe historike mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë ditë feste, shqiptarët në të dy anët e kufirit bashkohen nën të njëjtin flamur duke dëshmuar se pavarësisht kufijve shtetërorë, i bashkon një gjuhë, një histori dhe një identitet i përbashkët kombëtar.
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit vëmendja rikthehet te lidhja historike, kombëtare dhe kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë por edhe te nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), profesori Valon Murati në një prononcim për “Front Online” thotë se marrëdhëniet ndërmjet dy republikave nuk janë në nivelin që kërkojnë qytetarët dhe rrethanat aktuale.
“Marrëdhëniet në mes të dy republikave tona nuk janë në nivelin çfarë do të duhej të ishin, e as në nivelin e kërkesave të qytetarëve e mbi të gjitha të kërkesave të kohës”, ka deklaruar Murati.
Ai ka theksuar se pavarësisht ngërçit në raportet politike ndërmjet dy qeverive, bashkëpunimi në fusha të tjera ka vazhduar të forcohet.
“Ka një ngërç viteve të fundit në raportet në mes të dy qeverive, ndonëse raportet në nivele të tjera, përfshirë ato ekonomike, të sigurisë por edhe në mes të qytetarëve vazhdojnë të forcohen”, është shprehur ai.
Sipas Muratit, krijimi i një kornize më të afërt të bashkëpunimit politik do të ndikonte në thellimin e bashkëpunimit edhe në sektorët e tjerë.
“Por një kornizë e afërt e bashkëpunimit politik, do t’i shpejtonte dhe thellonte edhe më bashkëpunimin në të gjitha fushat e tjera, përfshirë ato që përmenda”, ka thënë Murati.
Duke folur për zhvillimet e viteve të fundit, kreu i LB-së tha se mes dy vendeve ka pasur një largim në nivelin politik.
“Është e qartë që kemi pasur një largim. Fatkeqësisht kjo ka ardhur në një kohë kur niveli i integrimit është dashur të thellohet”, ka deklaruar ai.
Murati ka përmendur edhe zhvillimet rajonale dhe globale si faktorë që duhet ta bëjnë edhe më të domosdoshëm integrimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Zhvillimet rajonale dhe ato globale, do të duhej të ishin një faktor shtesë për ta bërë të domosdoshëm integrimin tonë. Por për shkak të rrethanave që lidhen edhe me zhvillimet rajonale, e sidomos të dialogut të Kosovës me Serbinë, në vend se të kemi afrim të mëtejmë, ne kemi një ftohje të raporteve në nivelin qeveritar”, ka përfunduar Murati.
Murati: Raportet mes Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të varen nga kryeministrat
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB) dhe njëherësh ish-ministri i Diasporës, Valon Murati është shprehur për “Front Online” se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të varen nga marrëdhëniet personale mes udhëheqësve politikë.
“Raportet personale në mes të politikanëve, karakteri i tyre qëndrimet e tyre kanë rol kudo në botë. Por, po ashtu kudo, mbi raportet personale dominojnë interesat shtetërorë dhe kombëtarë”, tha Murati.
Ai tha se Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë interesa të përbashkëta.
“Unë vlerësoj se këto interesa ne vazhdojmë t’i kemi të njëjta, andaj është imperativ që raportet në mes të kryeministrave, kushdo qofshin ata të mos përcaktojnë raportet në mes të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare”, është shprehur ai.
Sipas tij, mes dy vendeve duhet të kalojnë nga deklaratat politike në një bashkëpunim më të thellë institucional.
“Ne duhet edhe të frymojmë bashkë institucionalisht, e jo vetëm përmes deklaratave patriotike në ngjarje të shënuara, apo në ato të ndjeshme politikisht”, thotë Murati.
Murati: Ka ardhur koha për hapa drejt bashkimit Kosovë-Shqipëri
“Krijimi i institucioneve të përbashkëta politike dhe parlamentare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është hapi i radhës që duhet të ndërmerret për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”.
Kështu ka vlerësuar për “Front Online” ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), profesori Valon Murati i cili konsideron se takimet e përbashkëta të qeverive nuk janë më të mjaftueshme.
Sipas tij, bashkëpunimi duhet të kalojë në një fazë të re.
“Ka qenë moti koha, e tani është imperativ që niveli i bashkëpunimit të kalojë drejt krijimit të institucioneve të përbashkëta politike e parlamentare (nën modelin e BE-së, Këshillit Nordik apo Benelux-it)”, ka deklaruar Murati.
Murati tha se thellimi i integrimit duhet të shërbejë si rrugë drejt realizimit të projektit të bashkimit.
“Ka ardhur koha që t’i thellojmë integrimet. Dhe nga integrimet, të punojmë dhe krijomë kushtet që të kalojmë tek projekti i papërfunduar i bashkimit”, është shprehur ai.
Sipas kreut të LB-së, bashkimi nuk është një ide romantike por një nevojë për sigurinë dhe zhvillimin e shqiptarëve.
“Bashkimi nuk është iluzion e as ide romantike. Në një botë çdoherë e më të pasigurt, bashkimi do të kthehet shumë shpejt në projektin kryesor që do të na ofrojë më shumë siguri, përparim dhe zhvillim”, tha Murati./Front Online/






