Ishujt në rezervuarin e Vishnevolotskoje, në rajonin Tver, në veriperëndim të Moskës, dikur ishin të njohur në mesin e banorëve vendas për peshkim dhe për mbledhjen e frutave të egra. Pasi pjesa veriore e rezervuarit u shpall “monument natyror” në vitin 2023, qasja në shumë prej tyre – përfshirë ishullin Lisi, ku tani ndodhet Qendra e Fiziologjisë Eksperimentale – u kufizua.
Systema dhe Shërbimi rus i REL-it erdhën në përfundim se drejtuesi i qendrës, Vladimir Maksimov, është ish-zyrtar i Institutit Qendror 48 të Kërkimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, që është instituti kryesor i vendit për zhvillimin e sistemeve mbrojtëse kundër armëve biologjike. Instituti u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara në vitin 2020, së bashku me dy institute të tjera ruse, nën akuzat se vazhdonte programet për armë biologjike dhe kimike.
Ndaras, agjencia federale mëmë e qendrës së re në ishullin Lisi është përmendur në hetimet për helmimin e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny dhe ish-oficerit të GRU-së ruse Sergei Skripal, me një agjent nervor të llojit Noviçok.
“Nuk merremi me përhapjen e vdekjes”
Megjithëse në dekadat e fundit ishte kryesisht e papërdorur nga Qeveria ruse, ishulli Lisi ka një histori të pasur sa u përket kërkimeve shkencore për sëmundje ngjitëse, që i paraprin ndërtimeve të fundit të shtetit atje.
Në Rusinë Perandorake, aty ndodhej një laborator veterinar, ndërsa gjatë sundimit të Josef Stalinit në Bashkimin Sovjetik, aty funksiononte një objekt për “kryerjen e eksperimenteve akute që përfshinin sëmundje ngjitëse të kafshëve bujqësore”.
Në pranverën e vitit 2021 – rreth një vit para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia – vendbanimi në ishull u shndërrua në Qendrën e Fiziologjisë Eksperimentale, pjesë e Agjencisë Federale Mjekësore-Biologjike të Rusisë (FMBA), teksa aty nisi ndërtimi i një prej komplekseve më të reja laboratorike kërkimore në vend.
Ndërtimi i Qendrës së Fiziologjisë Eksperimentale përfundoi në vjeshtën e vitit 2025 dhe imazhet satelitore të ishullit Lisi nga korriku i vitit 2026 tregojnë një ndërtesë të madhe – laboratorin – si dhe një park, ambiente banimi për personelin dhe mysafirët, dhe një pistë për uljen e helikopterëve.
Por, më 21 gusht të këtij viti, agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, HUR, pretendoi se Qendra e Fiziologjisë Eksperimentale po “eksperimenton me viruse të rrezikshme dhe patogjenë të tjerë në interes të forcave të armatosura [ruse]”.
Systema dhe Shërbimi Rus i REL-it, gjetën një lidhje me forcat e armatosura ruse përmes drejtuesit të qendrës, Maksimov.
Para se të drejtonte qendrën në ishullin Lisi, Maksimov për një kohë të gjatë ishte i përfshirë në kërkime biologjike për ushtrinë ruse.
Bazuar në punimet e tij të publikuara, ai ishte kryesisht i specializuar në viruse ekzotike dhe vdekjeprurëse të etheve hemorragjike, si Ebola dhe Marburg. Të dy patogjenët konsideroheshin në Bashkimin Sovjetik si baza të mundshme për zhvillimin e armëve biologjike.
“Ethet hemorragjike Ebola… sipas mendimit tonë, janë një nga agjentët më të mundshëm për luftë biologjike”, tha Maksimov në një intervistë të vitit 2004 për të përjavshmen ruse Voyenno-Promyshlenniy Kuryer (Korrieri Ushtarak-Industrial).
I përshkruar dikur si një “kolonel i ri dhe ambicioz i shërbimit mjekësor”, Maksimov drejtoi njësitin ushtarake ruse 44026, Qendrën e Virologjisë të Institutit të Mikrobiologjisë të Ministrisë së Mbrojtjes, nga viti 1999 deri më 2006.
Në vitin 2008, njësiti 44026, në qytetin Sergijev Posad, në periferi të Moskës, de facto u riemërtua si Instituti Qendror 48 i Kërkimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Agjencitë perëndimore të inteligjencës besojnë se aty janë bashkuar disa nga ato që mbetën nga programi sovjetik për zhvillimin e armëve biologjike.
Maksimov vazhdoi të punonte në këtë objekt edhe në vitin 2008, por duket se jo më si drejtor.
Në një intervistë të vitit 2005 për gazetën Trud, Maksimov tha se qëllimi i qendrës në Sergijev Posad ishte mbrojtës.
“Ndryshe nga ajo që ndonjëherë na atribuohet, ne nuk merremi me ‘përhapjen e vdekjes’. Detyra jonë është pikërisht e kundërta – të jemi në gjendje ta luftojmë atë”, tha ai.
Systema gjeti një kartëvizitë të Maksimovit nga viti 2022 në një faqe interneti të ankandeve. Ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të dërguara nga REL-i për koment.
Në vitin 2024, Shërbimi rus i REL-it zbuloi se qendra në Sergijev Posad gjithashtu kishte pësuar një zgjerim të madh që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
COVID-i si mbulesë?
Systema dhe Shërbimi rus i REL-it zbuluan se zgjerimi i objekteve kërkimore të Rusisë në ishullin Lisi dhe në Sergijev Posad kishte nisur në fakt në fund të vitit 2021, disa muaj para pushtimit dhe në dritë të uljes së intensitetit të pandemisë globale të COVID-19.
Si Instituti Qendror 48 i Kërkimeve, ashtu edhe FMBA-ja, që mbikëqyr objektin në ishullin Lisi, ishin zyrtarisht të përfshira në zhvillimin e vaksinave ruse kundër COVID-19.
Megjithatë, Milton Leitenberg, studiues në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Shkollën e Politikave Publike të Universitetit të Marilendit dhe ekspert për programin sovjetik të armëve biologjike, shprehu dyshime se zgjerimi i kërkimeve ishte përgjigje e Moskës ndaj pandemisë.
“Përputhja e datave mes reagimit të shëndetit publik të Rusisë ndaj pandemisë së COVID-19 dhe vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën është, natyrisht, e vërejtshme”, i tha Leitenberg Systema-s dhe Shërbimit rus të REL-it. “Megjithatë, duke pasur parasysh se jo më vonë se mesi i vitit 2021, Putini kishte marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën… zgjerimi i kërkimeve ruse për armët biologjike, si dhe përfshirja e laboratorëve të rinj, si ai në ishullin Lisi, duhet të shihet në këtë kontekst”.
Teksa roli që Rusia mund të ketë synuar t’u jepte armëve biologjike në luftë “mbetet mister”, ai tha se puna zhvillimore mund të përfaqësojë atë që e quajti “një zgjerim oportunist” të veprimtarisë kërkimore biologjike krahas sektorëve të tjerë ushtarakë.
Leitenberg tha se emërimi i Maksimovit dhe i ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të Institutit Qendror 48 të Kërkimeve në krye të Qendrës së Fiziologjisë Eksperimentale duket se është një argument i fortë se objekti i ri në ishullin Lisi mund të përfaqësojë zgjerim të aktiviteteve ushtarake, pavarësisht se FMBA-ja ka thënë zyrtarisht se ka status civil.
Vendndodhja e ishullit Lisi mund të jetë gjithashtu domethënëse. Në periudhën sovjetike, tha Leitenberg, vendosja e laboratorit në një copë toke të izoluar në mes të një rezervuari shërbente si masë sigurie – një shtresë shtesë mbrojtjeje për banorët vendas në rast se një patogjen i rrezikshëm do të dilte nga laboratori.
Ai kujtoi po ashtu se laboratori kryesor i testimit të programit sovjetik të armëve biologjike në ishullin Vozrozhdenija, në Detin Aral, në territorin që sot është Uzbekistani i pavarur, ishte po ashtu i rrethuar nga uji në të gjitha anët.
“Forcat speciale mjekësore”
E krijuar në vitin 2004, FMBA-ja merret me shumë prej sfidave të pazakonta të Rusisë në fushën e shëndetit publik. Ndër të tjera, ajo ofron mbështetje mjekësore për sportistët dhe kozmonautët, si dhe për njerëzit që punojnë në qytete të mbyllura. Ajo gjithashtu reagon ndaj fatkeqësive dhe aksidenteve industriale dhe merret me incidente radiologjike, kimike dhe biologjike.
Në vitin 2024, mbikëqyrja e agjencisë iu transferua nga Qeveria ruse drejtpërdrejt Putinit, një vendim i përshkruar në Çarlament si “vendimi i duhur” që “do të ndihmojë në trajtimin e çështjeve të natyrës konfidenciale”.
Putini takohet rregullisht me zyrtarët e FMBA-së, më së fundi në gusht, dhe më parë i është referuar agjencisë si “forcat speciale mjekësore”.
Në një hetim të vitit 2020 për një version të përditësuar të Noviçokut, Systema zbuloi se një institut kërkimor në rajonin e Leningradit, nën mbikëqyrjen e FMBA-së, po prodhonte një sërë suplementesh biologjike të zhvilluara nga një qendër shkencore e quajtur Signal.
Më vonë u zbulua se Signal kishte punuar me epibatidinën, një helm i nxjerrë nga një bretkosë ekuadoriane, i cili, sipas një teorie kryesore, u përdor për helmimin e Navalnyt në burgun në Arktik, ku ai vdiq papritur në shkurt të vitit 2024.
Zyrtarisht, Moska mohon se kryen kërkime që synojnë zhvillimin e armëve biologjike dhe kimike, duke pretenduar se kërkimet e saj kufizohen në zhvillimin e mjeteve të mbrojtjes nga përdorimi i tyre i mundshëm.
Megjithatë, hetimi për helmimin e Navalnyt sugjeroi se Rusia vazhdoi punën për zhvillimin e armëve të tilla, në shkelje të konventave përkatëse ndërkombëtare që ajo kishte ratifikuar./REL/






