Kombet e Bashkuara nisën ditën e tretë të punimeve të enjten në sesionin e 81-të të Asamblesë.
Ndërsa dy ditët e kaluara, liderët iu drejtuan botës nga podiumi i OKB-së, presidenti i Palestinës, u inkuadrua me një video lidhje.
Kjo pasi viza e tij u refuzua nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, Abbas, edhe nga Ramallah, në emër të popullit të tij që po përballet me luftë që tri vjet, i bëri thirrje për komunitetin ndërkombëtar që t’i jap fund pushtimit izraelit dhe të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.
“Cfarë po pret bashkësia ndërkombëtare për ta mbrojtur popullin palestinez, për t’i dhënë fund pushtimit izraelit dhe për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete në bazë të legjitimitetit ndërkombëtar? I kemi paralajmëruar edhe më herët Kombet e Bashkuara që politikat e Izraelit të cilat janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar do ta shkatërrojnë zgjidhjen me dy shtete. Dhe ja, kjo po ndodhë tani“, tha Abbas.
Turje, Abbas tha se populli palestinez po përjeton “një nga kohërat më të rrezikshme” në historinë e tij, teksa akuzoi Izraelin se ka krijuar një katastrofë humanitare të paparë në Gaza.
“Në Rripin e Gazës, populli ynë po i nënshtrohet vrasjeve, shkatërrimit, urisë, përpjekjeve për zhvendosje, si dhe një lufte gjenocidale nga forcat pushtuese izraelite që kanë krijuar një katastrofë humanitare të paparë “, tha ai.
Abbas poashtu i bëri thirrje presidentit amerikan që t’i përmbushë premtimet e tij.
“I bëjmë thirrje Trumpit t’i përmbushë premtimet që ai i dha tek liderët e vendeve arabe shtatorin e kaluar, për parandalimin e aneksimit të tokave palestineze dhe zhvendosjen“, shtoi ai.
Presidenti palestinez foli një ditë pas një takimi “të nivelit të lartë” të Bordit të Paqes të udhëhequr nga Trump, i cili vlerësoi se rindërtimi i Gazës do të kërkojë 71.4 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Ndryshe, gjatë këtij sesioni pritet të flasë edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.






