Gjatë vitit 2025, në hotele dhe objekte të tjera akomoduese u regjistruan mbi 762 mijë vizitorë vendorë dhe të huaj, ndërsa numri i net-qëndrimeve kaloi 1.65 milion. Shifrat tregojnë rritje të vazhdueshme të interesimit për Kosovën si destinacion turistik.
Sektori i turizmit në Kosovë ka vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara në kuadër të hulumtimit të Hotelerisë dhe Turizmit, gjatë vitit të kaluar në vend janë regjistruar gjithsej 762.836 vizitorë, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024.
Nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, 39,3 për qind ishin vizitorë vendorë, ndërsa 60,7 për qind vizitorë të huaj, duke dëshmuar se Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga jashtë vendit.
Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 1.653.390 net-qëndrime në objektet akomoduese të vendit. Nga këto, 45,4 për qind janë realizuar nga vizitorët vendorë, ndërsa 54,6 për qind nga turistët e huaj.
Të dhënat e ASK tregojnë se interesimi i qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar brenda vendit ka vazhduar të rritet.

Krahasuar me vitin 2024, numri i vizitorëve vendorë është rritur për 9,1 për qind, ndërsa net-qëndrimet e tyre janë rritur për 8 për qind.
Edhe turistët e huaj kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Gjatë vitit 2025, numri i tyre arriti në 463.092 vizitorë, ose 9,4 për qind më shumë sesa një vit më parë.
Sipas statistikave, numri më i madh i turistëve të huaj që vizituan Kosovën vijnë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia, shtete që prej vitesh përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve ndërkombëtarë në vend.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, 639.945 persona kanë realizuar të paktën një udhëtim me net-qëndrim brenda ose jashtë Kosovës, duke reflektuar një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve krahasuar me vitet e kaluara.
Një tjetër tregues i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit është edhe numri i hyrjeve të shtetasve të huaj në territorin e Kosovës.
Sipas të dhënave të grumbulluara në pikat kufitare, gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë regjistruar 7.465.625 hyrje të shtetasve të huaj, një shifër që dëshmon për qarkullimin e madh të vizitorëve dhe rëndësinë në rritje të Kosovës si destinacion rajonal për udhëtime, biznes dhe vizita familjare.







