Federico Valverde pritet të ketë një nga sezonet më të rëndësishme të karrierës së tij te Real Madridi, teksa klubi madrilen vazhdon t’i besojë mesfushorit uruguaian pavarësisht një sezoni të vështirë, i cili u shoqërua me kritika dhe momente të vështira brenda dhe jashtë fushës.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “AS”, Real Madridi po planifikon një rindërtim të rëndësishëm të skuadrës pas rikthimit të Jose Mourinhos në krye të ekipit.
Klubi synon të forcojë repartin e mesfushës dhe pozicione të tjera kyçe përmes transferimeve të reja, por Valverde nuk është pjesë e listës së lojtarëve që mund të largohen.
Drejtuesit e klubit vazhdojnë ta konsiderojnë 27-vjeçarin si një prej figurave më të rëndësishme të projektit afatgjatë dhe besojnë se ai mund të rikthehet në nivelin që e karakterizoi në sezonet e kaluara.
Megjithatë, sezoni i fundit nuk ishte ndër më të mirët për uruguaianin, ai ishte një nga lojtarët që u përball me kritika pas largimit të Xabi Alonsos, sidomos për pakënaqësinë që kishte shfaqur kur aktivizohej në pozitën e mbrojtësit të djathtë.
Megjithatë, brenda klubit ekziston bindja se mesfushori uruguaian nuk arriti të ketë ndikim të vazhdueshëm në ndeshje, veçanërisht në momentet kur Real Madridi humbiste kontrollin e lojës në mesfushë.
Pavarësisht afrimeve të mundshme, mesazhi që vjen nga drejtuesit e Real Madridit mbetet i qartë, Federico Valverde vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e planeve të klubit dhe pritet të luajë rol kyç në projektin e ri të “Los Blancos”.






