Reagon Policia: Sulmi ndaj komisariatit nuk është protestë, u lënduan 10 punonjës, do të veprojmë me vendosmëri

- Advertisement -

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Skender Hita, ka bërë të ditur se 10 zyrtarë policorë janë plagosur nga sulmi ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku siç tha ai, protestues të maskuar përdorën bomba molotov, mjete piroteknike, gurë dhe sende të forta.

Hita tha se sulmi rrezikoi jetën e punonjësve të policisë dhe personave të shoqëruar që ndodheshin brenda komisariatit.

Ai shtoi se edhe gjatë ditës janë regjistruar sulme të tjera ndaj policëve, duke theksuar se prej gjashtë ditësh ata po përballen me akte të përsëritura dhune.

Hita e cilësoi sulmin ndaj komisariatit si dhunë të rëndë dhe jo si protestë, ndërsa bëri të ditur se Policia po punon për identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e provave te organet e drejtësisë.

Ai paralajmëroi se përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore, por theksoi se e drejta për protestë paqësore mbetet e garantuar.

Kreu i Policisë u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna dhe udhëzoi strukturat policore të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Të ngjashme

Të fundit