Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, dhe ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, janë përplasur përmes rrjeteve sociale, pas akuzave të Qorollit lidhur me periudhën kur Ramadani ishte pjesë e AKI-së.
Qorolli ka ngritur pretendime për shpenzime prej 640 mijë eurosh që, sipas tij, lidhen me Fatmir Shehollin.
“Le të flet tash një ish-çkofinovik i AKI-së, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, emrin ia thënë Burim, mbiemrin s’ia mbaj mend dot, me duket e quajnë Qymyrxhiu – se si agjencia e mbikëqyrur prej tij në kohën e tij – e ka paguar në shumën prej 640 mijë eurove, shpenzime me letra të Serbisë, Fatmir Shehollin!”, ka shkruar Qorolli.
Ramadani ka reaguar duke i kërkuar Qorollit të mos e përfshijë AKI-në në përplasjet politike.
“Vigan, të lutem ruaje AKI-në dhe sektorin e sigurisë, mos u përfshijë në propagandë armiqësore, duke dashur që të me sulmosh mua si individ në politike”, ka shkruar ai.
Ramadani ka shtuar: “Pyeti shefat tu. Pyeti kolegët tu”.
“Unë jam emëruar më 25 nëntor 2019 dhe kam dhënë dorëheqje më 22 dhjetor 2022. Mos përhap propagandë armiqësore ndaj AKI-së për asnjë periudhë”, ka deklaruar ai.
Ramadani e paralajmëroi Qorrollin për veprime ligjore: “Normalisht, të kërkoj të kërkosh falje dhe ta heqësh postimin. Në të kundërtën, SHIHEMI NË GJYKATË!”, ka shkruar Ramadani.






