Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimit në Facebook, ka thënë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka marrë vendim në të cilin thuhet se nuk kishte konflikt interesi mes tij dhe pronarëve për ndërtim te Liqeni i Badocit.
Rama ka thënë se ky vendim reflekton përkushtimin për transparencë për veprimet e tij.
“Gjatë gjithë këtij procesi, kemi bashkëpunuar plotësisht me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe kemi siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për të garantuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm. E vlerësoj punën profesionale dhe të paanshme të Agjencisë dhe i falënderoj qytetarët për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
FAKTET FLASIN VET.
E VËRTETA DOLI NË SHESH!
Të dashur qytetarë,
Ju njoftoj se sot kam pranuar vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me të cilin, ka mbyllur çështjen për konflikt të interesit duke konfirmuar se nuk kishte konflikt interesi në mes meje dhe pronarëve privat tek Liqeni i Badocit.
Ky vendim reflekton përkushtimin tonë për transparencë dhe integritet në të gjitha veprimet tona.
Gjatë gjithë këtij procesi, kemi bashkëpunuar plotësisht me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe kemi siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për të garantuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm. E vlerësoj punën profesionale dhe të paanshme të Agjencisë dhe i falënderoj qytetarët për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Puna jonë për transformimin e Prishtinës tonë, nuk mund të ndalet asnjëherë!