Rama për Lojërat Mesdhetare: Thirrëm mbledhje urgjente, Kurti s’u përgjigj – injoroi të gjitha afatet

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka injoruar çdo thirrje të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, duke rrezikuar kështu mbajtjen e tyre në vitin 2030 në Kosovë. Ai thotë se nuk është paguar garancia bankare dhe nuk janë kthyer as përgjigje.

“Kjo nuk është letra e parë. Është vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë nis muaj më parë dhe që nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga Qeveria. Ajo konstaton se letra e 21 shtatorit ka mbetur pa përgjigje. Garancia bankare ose e sigurimit e kërkuar që nga janari nuk është dorëzu nga detyrimet financiare që është dashur të përmbushen në qershor.  Për më tepër, afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, buxhetit, master planin, janë shkelur vazhdimisht”, tha Rama.

Për më tepër, Rama tha se Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur as thirrjeve për mbajtjen e një mbledhjeje urgjente për adresimin e çështjeve të ngritura nga Komiteti Ndërkombëtar.

“Më 11 dhe 13 gusht kemi kërkuar takime koordinuese. Më 11, 16 dhe 22 shtator kemi kërku mbledhje urgjente të Bordit Drejtues. Kryeministri, Albin Kurti, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit Drejtues ka përgjegjësinë e thirrjes së mbledhjes dhe Koordinimit të vendimmarrjes. Mbledhja nuk është thirrë. Më 30 shtator, duke parë urgjencën e situatës, Kryeqyteti mori iniciativën e thirrjes së mbledhjes më 8 tetor. Kërkoheshin pesë nënshkrime për thirrjen e saj. Përfaqësuesit e Qeverisë dhe Komitetit Olimpik nuk iu përgjigjën thirrjes. Si pasojë mbledhja nuk u mbajt”, tha Rama.

Ai tha se në mbledhjen e 19 dhjetorit 2026, mund të ketë “befasi të pakëndshme” nëse Kosova nuk tregon gatishmëri për vendimmarrje, duke aluduar në dështimin e mundshëm të organizimit të Lojërave.

Kosova fitoi më 2023 të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Të njëjtat do të mbahen në disa lokacione në Kosovë. Qeveria, sipas Projektligjit, do të investojë 253 milionë euro për ndërtimin e infrastukturës së nevojshme.

Të ngjashme

Të fundit