Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se një numër i madh i investitorëve janë interesuar të investojnë në Kryeqytet. Në prezantimin e programit të Konferencës së Dytë të Investitorëve “Prishtina 2030”, Rama ka thënë se ata janë seriozë dhe se këto investime do t’i sjellin zhvillime të mëdha qytetit, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Prishtinës ka deklaruar se nga këto projekte do të përfitojnë të gjithë qytetarët, teksa për investime nuk do të preket asnjë cent i Komunës.
“Një numër i madh i investitorëve kanë shprehë interes serioz për të investuar në Kryeqytet. Të gjitha këto investime janë transformuese që kanë shkuar në proces transparent, kemi pas një numër të madh të bizneseve që janë interesuar si dhe ju kemi përgjigjur te gjitha kërkesave te investitorëve, projektet kryesore janë te ndërlidhura me kryeqytetin”.
“E kemi projektin e ‘Rrethit të Flamurit’, projekti tjetër është Stacioni i Autobusëve, për një stacion të ri. Parku i ri i cili e ndërlidhë lagjen Dardania me Kalabrinë dhe kjo do t’i ndërlidhe 90 mijë qytetarë për kalim dhe është projekt madhor. Tregu i Vjetër dhe projekti është serioz dhe lidhet me parkingun nëntokësorë dhe të gjitha këto projekte janë të avancuara nga arkitekt serioz dhe në aspektin financiar i kanë fondet e sigurta. Janë projekte që përputhen me standardet më të larta të qëndrueshmërisë. Të gjitha këto përfitime të qytetareve do të bëhen pa e përdorur asnjë cent të komunës”, theksoi Rama.