Ish-veprimtari Bajrush Xhemajli ka deklaruar se ish-zyrtari politik Azem Vllasi dhe publicisti Veton Surroi e kanë penguar Republikën e Kosovës “me çdo kusht”.
Duke folur në kuadër të ciklit të emisioneve “Dosjet” në “Debat Plus”, Xhemajli ka kritikuar qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe demonstratat e vitit 1981.
Duke folur fillimisht për Azem Vllasin, Xhemajli ka thënë se ai erdhi në krye të strukturave politike pas dorëheqjes së Mahmut Bakallit.
“Vllasi ka ardhur pasi ua ka shti këmbën, kleçkën këtyre të tjerëve. Bakalli dha dorëheqje, ky i ka zbuluar, demek, që thotë ka pasur aty kundërrevolucion. Vllasi ka qenë që ka thënë i pari që është kundërrevolucion”, ka deklaruar Xhemajli.
“Vllasi ka qenë alfa dhe omega e këtyre të tjerëve. Nuk mund të thotë Azem Vllasi, ose Surroi, derisa ata vetë i kanë udhëhequr këto me krejt, ata e kanë penguar Republikën e Kosovës me çdo kusht”, ka thënë Xhemajli.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimet që, sipas tij, synojnë të paraqesin demonstratat e vitit 1981 dhe rezistencën shqiptare si të panevojshme.
Xhemajli ka thënë se nuk pret qëndrime të tjera nga Surroi dhe pjesëtarë të tjerë të ish-establishmentit politik.
Duke folur për figurat politike të asaj periudhe, Xhemajli ka përmendur edhe Sinan Hasanin, Ali Shukrinë, Samedin Azemin dhe Fadil Hoxhën, për të cilët ka thënë se ishin shkëputur nga realiteti i popullit të Kosovës.
Sipas tij, në Kosovë ishin përhapur pretendime se Lajçi, i cili ishte dënuar me 15 vjet burgim, po jetonte i lirë në Beograd, ndërsa Xhemajli ka treguar se kur kishte shkuar në burgun e Pozharevcit, e kishte gjetur atë atje.






