Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind, PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i pyetur për sondazhin ka thënë se janë përralla të porositura.
Janë përralla të porositura nuk dua të merrem me përralla”, ka thënë ai për Reporteri.net.
I pyetur se a besojnë se qëndrojnë më mirë, ai ka thënë se po.
“Në garë jemi për vendin e parë”, ka thënë Quni.
Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
Sipas kësaj matje të opinionit publik, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinen e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi.
Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.
Lista Serbe, sipas këtij sondazhi, del të ketë 5.6 për qind.
4.3 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin.
Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.