QËNDRIM KRYEZIU: 20 KILOMETRA TEPIH I KUQ NGA AEROPORTI DERI NË PRISHTINË PËR KRERËT E UÇK-së
Ish-kandidati i PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, ka bërë një deklaratë të pazakontë për pritjen e mundshme të katër figurave të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një statusi në Facebook, Kryeziu ka thënë se gjatë javës së ardhshme pritet të mbërrijë një tepih i kuq rreth 20 kilometra i gjatë, i cili, sipas tij, do të shtrihet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” deri në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Dua të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm që më erdhi nga përfaqësuesi i fabrikës!”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka bërë të ditur se tepihu do të shtrohet në nderim të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
“Gjithçka sipas planit! 🇦🇱🇽🇰 Mirë se vini, Legjenda!”, ka përfunduar Kryeziu.
Deklarata e tij vjen në kohën kur në Kosovë vazhdon vëmendja e madhe ndaj procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.






