Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar kërkesën e organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim nëse Gjykata në Hagë ka tejkaluar mandatin e saj në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë Qelaj ka thënë se ende është herët të përcaktohet qëndrimi i tij për këtë kërkesë, por ka theksuar se do të veprojë në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, duke pasur në fokus respektimin e të drejtave të njeriut dhe interesin e drejtësisë.
“Para pak ditësh ne kemi pranuar një kërkesë nga një numër i madh i organizatave të shoqërisë civile dhe intelektualëve, aktivistë të të drejtave të njeriut. Kemi shqyrtuar dhe analizuar kërkesën e tyre, kemi pasur edhe një takim për të pasur mundësi t’i diskutojmë bashkë shqetësimet që janë ngritur nga ky grup i personave që e kanë adresuar këtë ankesë. Natyrisht, jemi në fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit. Unë si Avokat i Popullit gjithmonë veproj brenda mandatit tim kushtetues dhe brenda asaj që më jep kompetencë edhe ligji për Avokatin e Popullit dhe Kushtetuta, gjithmonë në kujdes të shtuar që të ruaj, ose, si të themi, të kem epërsi në veprimet e mia, gjithmonë respektimin e të drejtave të njeriut, por mendoj se është një fazë e hershme për të konsideruar se cili do të jetë qëndrimi im në raport me këtë kërkesë të parashtruar. Natyrisht, kur është në interes të drejtësisë dhe kur është në interes të respektimit të të drejtave të njeriut, unë jam shumë i gatshëm të veproj në interes të këtyre dy çështjeve”, ka thënë Qelaj.
Ai ka folur edhe për raportin e Avokatit të Popullit lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara, duke sqaruar se institucioni që drejton nuk vlerëson vendimet gjyqësore, por procesin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm.
“Avokati i Popullit është i prirur të mos japë vlerësime lidhur me vendimmarrjen e gjykatës. Fjala është për vendimet dhe aktgjykimet që i merr gjykata në çfarëdo niveli, në këtë rast edhe Dhomat e Specializuara, por raporti që ne kemi publikuar ka të bëjë më shumë me vetë procesin që po zhvillohet atje dhe garantimin e standardeve që garantojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ato standarde që Kosova i zbaton në legjislacionin e vet, në sistemin e drejtësisë. Natyrisht, raporti, paraprakisht, para se të shpallej vendimi gjyqësor, ka konstatuar shumë shqetësime që lidhen me funksionimin e kësaj gjykate dhe me garantimin e procesit të drejtë, duke filluar nga mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies së gjykatës, fakti që gjykata nuk e lidh punën e vet me asnjë segment të sistemit të drejtësisë ose të shtetit në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Qelaj ka përmendur edhe shqetësimet që, sipas tij, janë evidentuar në raportin e institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë kohëzgjatjen e paraburgimit dhe administrimin e provave nga Serbia.
“Faktin që paraburgimi ka zgjatur përtej standardeve që përcaktohen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me një kohëzgjatje tepër të gjatë, provat nga Serbia, administrimi i tyre pa një filtër verifikimi dhe duke mos marrë parasysh që Serbia ka qëndrime armiqësore në raport me Kosovën, e ato janë shumë të theksuara në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të së cilës janë edhe udhëheqësit e saj që janë të akuzuarit në Hagë, dhe shumë e shumë probleme e shqetësime të tjera të cilat ne i kemi evidentuar. Natyrisht, kur del një vendim i cili në një masë të madhe nuk e kënaq popullatën ose nuk është në pritshmëritë e publikut, këto shqetësime të ngritura paraprakisht fitojnë një tjetër dimension, pra fitojnë një tjetër legjitimitet dhe qëndrueshmëri në raport me atë që ka ndodhur para se të nxirrej vendimi gjyqësor. Me një fjalë, nuk mund të presim që rezultatet e një procesi të komprometuar ose të një procesi me kaq shumë probleme të jenë vendime që publiku i beson. Natyrisht, reagimi i publikut ka qenë ai që ka qenë dhe erdhëm deri te veprimet konkrete që u morën edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Qelaj.
Sa u përket ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Qelaj ka thënë se e drejta e Kuvendit për të miratuar dhe ndryshuar ligje nuk duhet të kontestohet, por ka ngritur dilema për efektin juridik të ndryshimeve dhe përputhshmërinë e tyre me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“E para, nuk duhet të kontestohet asnjëherë e drejta e Kuvendit për të nxjerrë dhe ndryshuar ligje. Është një prej detyrave dhe kompetencave kryesore që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në raport me ligjin e fundit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, ndoshta duhet ta shohim në një perspektivë tjetër, sa do të arrijë ky ligj ta ketë efektin e vet juridik në këtë proces, duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me një amendament të veçantë të Kushtetutës, pra kemi të bëjmë me norma kushtetuese që përcaktojnë edhe format e themelimit, por edhe mënyrën e funksionimit të këtyre gjykatave”, ka thënë ai.
Qelaj ka theksuar se vlerësimi nëse procesi gjyqësor ka qenë i padrejtë i takon Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara dhe se vendimet duhet të respektohen deri në vendimin e shkallës tjetër.
“Ajo që është e rëndësishme në këtë fazë, që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ta kenë parasysh, është fakti që beteja për drejtësi vendoset në gjykatë dhe të gjitha vendimet që merren nga gjykata, qofshin të pranueshme ose jo, duhet të respektohen derisa të merret vendimi në gjykatën e shkallës tjetër, pra në Apel. Unë besoj se, nëse ne nisemi nga një konstatim që del nga reagimi publik se gjykimi ka qenë i padrejtë, këtë mund ta vendosë vetëm Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara, pavarësisht dilemave nëse kjo gjykatë arrin tani ta kalojë pragun minimal të besueshmërisë se do të jetë një gjykatë e drejtë dhe nëse do ta vendosë vërtet drejtësinë”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka kërkuar gjithashtu mbikëqyrje më të madhe dhe llogaridhënie nga Dhomat e Specializuara, si dhe monitorim nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
“Por unë mendoj se një mbikëqyrje e shtuar dhe demokratike, si dhe një kërkesë për llogaridhënie nga vetë gjykata, në anën tjetër, një kërkesë e vazhdueshme ndaj mekanizmave ndërkombëtarë, siç janë Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, për të vendosur kontroll dhe monitorim të mirëfilltë në këtë gjykatë, për të parë nëse po i zbaton ato standarde për të cilat ne kemi dhënë gjithçka për t’i pasur në funksion, është e domosdoshme. Pra, shteti, qeveria dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta fokusojnë vëmendjen e tyre në këtë drejtim. Dhe diçka: Kosova asnjëherë nuk duhet të krijojë situata të tilla që të konsiderohet si shtet që po e pengon drejtësinë. Duhet të gjejë forma të cilat janë të pranueshme, që i mbrojnë dhe i garantojnë të drejtat e njeriut dhe procesin e drejtë atje, pa e klasifikuar veten si një shoqëri e cila po provon ta vendosë drejtësinë me ligje ose me politikë”, ka thënë ai.
Qelaj ka vlerësuar se struktura dhe mënyra e funksionimit të Dhomave të Specializuara ngrenë shqetësime për raportin e tyre me institucionet e Kosovës, ndërsa ka thënë se zbatimi i ndryshimeve ligjore mbetet çështje që duhet të vlerësohet.
“Ajo që mund të konstatoj tani është se, nga analiza jonë, ka rezultuar që struktura e gjykatës dhe mënyra se si ka funksionuar janë tërësisht jashtë sistemit të Republikës së Kosovës. Kjo formë e vendimmarrjes në një strukturë autonome që nuk i përket Kosovës, të cilën e ka ndërtuar Kosova, ndërsa llogari u jep vendeve donatore, natyrisht ngre shumë shqetësime dhe dilema. Se si do të shkojnë gjërat më tej është me interes të përcillet me vëmendje dhe, natyrisht, unë do të reagoj me kohë sa herë që do të ketë zhvillime në këtë drejtim. Fakti që zbatimi i ndryshimeve ligjore do të jetë sfidues nuk është i kontestueshëm, ashtu siç nuk është i kontestueshëm fakti që Kuvendi ka të drejtën t’i miratojë këto ligje. Se a janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare që Kosova i ka marrë dhe sa do të gjejnë zbatim, duhet ta shohim, por paralelisht me këtë ne duhet të angazhohemi dhe të veprojmë edhe në aspektet e tjera të veprimit institucional, me qëllim të garantimit të procesit të drejtë”, ka thënë Qelaj. /eo






