Pse Jobe Bellingham do ta përdorë vetëm emrin e tij në fanellën e Anglisë?

- Advertisement -

Jobe Bellingham, futbollisti i ri i Anglisë, ka folur më parë për vendimin e tij që në fanellën e klubit dhe të kombëtares të mbajë emrin “Jobe” dhe jo mbiemrin “Bellingham”.

Bellingham mori ftesën e tij të parë në kombëtaren A të Anglisë të premten (6 nëntor), pasi u përfshi nga Thomas Tuchel në listën e lojtarëve për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë dhe Spanjës.

21-vjeçari, i cili ka qenë njëri prej futbollistëve më të spikatur të Borussia Dortmundit këtë sezon, është ftuar nga Tuchel për shkak të mungesës së mesfushorëve qendrorë.

“Ne kemi një problem të vogël në mesfushën qendrore, pasi Alex Scott nuk është ende gati, ndërsa Myles Lewis-Skelly, i cili luajti në të katër ndeshjet, mori një karton të verdhë dhe është i suspenduar për ndeshjen kundër Kroacisë. Kështu që kemi mungesë lojtarësh”, deklaroi Tuchel.

“Lee Carsley ka folur shumë mirë për Jobe në këto javë dhe muajt e fundit, ndaj kjo është një mundësi për t’iu bashkuar ekipit të parë dhe për të mësuar. Ai po kalon një periudhë shumë të mirë te Borussia Dortmundi”.

Bellingham filloi ta mbante emrin “Jobe” në vend të “Bellingham” në pjesën e pasme të fanellës në verën e vitit 2023, pas transferimit për 3 milionë funte nga klubi ku ishte rritur, Birmingham City, te Sunderland.

Mesfushori kishte shpjeguar më parë se ideja i ishte sugjeruar nga një trajner që kishte punuar me të si te Birmingham City, ashtu edhe te Sunderland.

“Kur nënshkrova me Sunderlandin, këtë ide ma sugjeroi dikush, një trajner i veçantë që e kisha pasur edhe në Birmingham”, kishte deklaruar ai për faqen zyrtare të Borussia Dortmundit në qershor të vitit 2025.

“Isha ende i ri dhe mendova se ishte diçka e bukur ta kisha emrin tim në pjesën e pasme të fanellës. Nuk kishte ndonjë kuptim më të thellë, por me kalimin e kohës është bërë diçka unike. Tregon se po ndjek rrugën time.

“Disa njerëzve nuk u pëlqen, por mua nuk më intereson. Nuk mund ta ndjekësh qëllimin tënd dhe në të njëjtën kohë t’i dëgjosh të gjithë. Unë dëgjoj vetëm njerëzit që e dinë se për çfarë flasin, jo kritikët e internetit që flasin kot.

“Thjesht përpiqem të bëhem më i mirë çdo ditë. Edhe emri im në fanellë është pjesë e kësaj”.

Një vit më herët, ish-trajneri i Sunderlandit, Tony Mowbray, kishte sugjeruar se Jobe ishte i vendosur të krijonte identitetin e tij.

“Mendoj se ai po përpiqet të krijojë identitetin e tij. Nuk dëshiron të jetojë nën hijen e mbiemrit të vëllait të tij, por dëshiron të jetë futbollisti që është dhe t’u tregojë njerëzve se çfarë është në gjendje të bëjë”, kishte deklaruar Mowbray në atë kohë.

Ftesa e Jobe për kombëtaren A të Anglisë është një moment shumë i veçantë edhe për vëllain e tij më të madh, Jude Bellingham, i cili luan te Real Madridi.

Duke folur në kanalin e tij në YouTube në vitin 2024, 23-vjeçari kishte zbuluar se të luante së bashku me vëllain e tij në kombëtaren e Anglisë do të ishte një ëndërr e bërë realitet.

“Meqë jemi të moshës së përafërt dhe kemi luajtur së bashku për kaq shumë kohë në rrugë dhe në fushat e vogla me bar, të luaja me vëllain tim për Anglinë do të ishte ëndrra më e madhe e jetës sime”, kishte thënë ai.

“Kjo do të kishte më shumë rëndësi se çdo trofe. Sidomos nëse do të arrinim ta bënim këtë në mënyrë të vazhdueshme, të luanim së bashku në një turne të madh dhe të fitonim trofe. Sinqerisht, asgjë nuk do t’i afrohej kësaj. Asgjë”.

Të ngjashme

Të fundit