Pse Bradley Barcola e ka zgjedhur numrin 29 edhe te Liverpooli?

- Advertisement -

Disa histori, le ta quajmë, “pas numrit”, për zgjedhjen e fanellës janë të qarta: bestytni, vazhdimësi që nga fëmijëria, status ikonik. Por ka edhe histori shumë më kurioze, si ajo e Bradley Barcolas.

Barcola ka mbërritur te Liverpooli me një çmim transferimi që zakonisht i rezervohet një lojtari me numrin 7, 9 ose 11.

Në vend të tyre, anësori francez do të zbresë në fushë në “Anfield” – me shumë gjasë fillimisht në ndeshjen ndaj Ipswichit të premten – me numrin 29 në shpinë.

Në rast se e keni humbur lajmin, Liverpooli ka rënë dakord t’i paguajë Paris Saint-Germainit fillimisht 144 milionë dollarë, ndërsa bonuset mund ta çojnë vlerën totale të marrëveshjes në rreth 167 milionë dollarë.

Megjithatë, Barcola nuk ka shumë interesim për ta marrë fanellën me numrin 11, e cila mbeti e lirë pas largimit të Mohamed Salahut. Vlen të theksohet se “11” ende nuk i është caktuar askujt, ndërsa orët po kalojnë drejt fundit të afatit kalimtar.

Numri i preferuar i tij vjen nga një burim shumë më i papritur: një videolojë.

Kur ishte i vogël, Barcola luante “The Journey”, mënyrën e historisë së prezantuar në FIFA 17. Lojtarët kontrollonin Alex Hunter, një talent imagjinar që përpiqej të kalonte nga një premtim i akademisë në një yll të Premierligës.

Hunter mbante numrin 29 dhe ky numër mbeti i veçantë për Barcolan edhe shumë kohë pasi konsola ishte fikur.

“Kur isha më i vogël, luaja FIFA”, tha Barcola për “Club Legacyz”. “Në mënyrën e historisë me Alex Hunter, ky numër u bë simbolik për mua”.

Ai madje i kishte bërë vetes një premtim: “Ditën që do të bëhem profesionist, do të jetë numri 29”.

Barcola më vonë e zgjodhi këtë numër edhe te PSG-ja dhe ishte shumë i qartë për synimet e tij për të ardhmen: “Tani nuk do ta lë kurrë”.

Për fatin e tij, fanella me numrin 29 është e lirë edhe në “Anfield”. Arthur Melo ishte pronari i fundit i saj, gjatë huazimit të tij të prekur nga dëmtimet në sezonin 2022/23, ndërsa Dominic Solanke, Fabio Borini dhe portieri Brad Friedel janë ndër lojtarët e tjerë që e kanë mbajtur këtë numër në të kaluarën.

Vështirë se është trashëgimia më frikësuese në historinë e Liverpoolit, duhet të pajtohemi, veçanërisht në krahasim me numrin 11 të Salahut, të cilin më parë e kanë mbajtur emra si Firmino, Redknapp dhe Callaghan.

Megjithatë, Barcola tani ka mundësinë ta bëjë numrin 29 tërësisht të tijin.

Kjo është gjithashtu një histori bukur moderne e futbollit. Përforcimi i bujshëm i Liverpoolit nuk e zgjodhi numrin e fanellës në nderim të Pelés, Johan Cruyffit apo ndonjë anëtari të familjes. Ai e zgjodhi sepse ishte numri i një futbollisti imagjinar të FIFA-s, karrierën e të cilit dikur e kontrollonte nga divani i shtëpisë.

Të ngjashme

Të fundit