Shkruan: Blerim Canaj
Që në mëngjes pin kafen e sjellur dhe përpunuar nga Devollët, në tavolinë ka ujin, sheqerin, bukën, mishin etj. Tërë tavolina është me produkte të siguruara, të prodhuara apo përpunuara nga 5 mijë punëtorët e 15 mijë bashkpuntorët e Devollëve. Pra rreth 20 mijë familje kosovare sigurojnë ekzistencën – dhe jo vetëm – falë Devollëve! E qeveritarët pagën e luksin e tyre (madje edhe hajnitë që i bëjnë) e kanë të garantuar nga një pjesë e madhe e parave të Devollëve si tatimpaguesit më të mëdhenj në vend, nga po këta Devollë që sigurojnë 1/3 e eksporteve të Kosovës.
Në një shtet normal me një qeveri normale Devollët do të trajtoheshin si aset i shtetit. Por qeveria Kurti sulmon ata.
Pse ndodh kjo?!
Ndoshta sepse kemi të bëjmë me një qeveri me tendenca diktatoriale, e cila preferon të varfërit dhe varfërinë sepse në përgjithësi, më e lehtë është që një diktator të qeverisë një popull të varfër. Kjo sepse kur njerëzit jetojnë në varfëri, ata varen nga ndihma shtetërore për mbijetesë (ushqim, punë, strehim), dhe kjo u jep diktatorëve një mjet të fuqishëm kontrolli: “bindja ose uria”. Në shoqëritë e varfra, niveli i ulët i arsimit dhe qasja e kufizuar në informacion e bëjnë më të lehtë manipulimin, propagandën dhe shtypjen e kundërshtimeve. Organizimi qytetar, sindikatat, shoqëria civile, mediat e lira – janë më të dobëta ose nuk ekzistojnë fare në vende të varfra. Kjo i lejon regjimeve autoritare të veprojnë pa frikë nga rezistenca e organizuar. Kur njerëzit nuk kanë mirëqenie, ata shpesh janë të gatshëm të pranojnë edhe padrejtësi për të ruajtur atë pak që kanë. Kjo krijon një kulturë të durimit të autoritarizmit. E pikërisht këto sulmohen nga ky regjim!
Ndryshe është kur një popull ka mirëqenie, sepse ekonomia sjell autonomi. Klasa e mesme dhe sipërmarrësit e vegjël, që janë produkt i pasurimit të shoqërisë, zakonisht duan më shumë liri, përfaqësim dhe drejtësi – sepse kanë më shumë për të humbur nga shtypja. Në anën tjetër mirëqenia domosdoshmërisht kërkon edhe arsimim e arsimimi ngrit vetëdijen e popullit dhe shton kritikën. Një popull i arsimuar dhe i informuar është më pak i ndjeshëm ndaj propagandës së pushtetit dhe është më i prirur të ngrejë pyetje kritike ndaj pushtetit. Për më tepër shoqëritë me mirëqenie janë zakonisht më të hapura ndaj tregtisë dhe ndikimeve ndërkombëtare, ku presioni diplomatik dhe ekonomik mund të ndikojë kundër diktaturës. E pikërisht këtu është „faji“ i Devollëve!
Pra, falë Devollëve dhe të tjerët si Devollët shumë qytetarë nuk varen domosdoshmërisht nga propaganda dhe mashtrimet e pushtetit, nuk mashtrohen me nga 20€ gjatë fushatave zgjedhore. E kjo i pengon regjimit. Sepse po sulmohet mirëqenia. Ata që punojnë dhe kontribojnë për mirëqenien e vendit dhe qytetarit ata janë thjeshtë patriotë! E patriotët zakonisht sulmohen pikërisht nga ata që janë inferiorë dhe nuk kanë elemente patriotizmi. Andaj sulmet dhe propaganda e regjimit kundër Devollëve janë sulme dhe propagandë raciste. E me siguri që Devollët nuk do të jenë të vetmit!
@Highlight