Është bërë promovimi i librit “Ilmi Ramadani – veprimtar qëndrestar”, i autorit Selatin Novosella, vepër e cila i kushtohet jetës, veprimtarisë dhe kontributit të veprimtarit Ilmi Ramadani.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përgëzoi autorin Selatin Novosella për punën dhe përkushtimin e tij në dokumentimin e veprimtarisë së personaliteteve që kanë kontribuar për lirinë e vendit.
“Dua të përgëzoj veçanërisht zotin Selatin Novosella për punën e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin shumëvjeçar në ruajtjen e kësaj vetëdijeje. Një popull që e njeh historinë e vet, e kupton çmimin e lirisë. Një shtet që i nderon njerëzit e sakrificës, forcon themelet e veta. Prandaj, dëshmitë e ish-të burgosurve politikë duhet të dokumentohen, duhet të ruhen dhe të përcillen te brezat e rinj. Shtetësia e Kosovës u ndërtua ndër dekada, me qëndresë, burg, sakrificë, luftë dhe me besimin për të jetuar të lirë në vendin e tyre, në mënyrën e palëkundur, pra forca e palëkundur e vetë shqiptarëve”, u shpreh ai.
Rama tha se liria që gëzohet sot mban mbi vete sakrificat e mijëra njerëzve, ndërsa detyrë e institucioneve është mbrojtja, forcimi dhe zhvillimi i shtetit për të cilin ata sakrifikuan.
“Liria që e gëzojmë sot mban mbi vete emrat, plagët dhe sakrificat e mijëra njerëzve. Detyra jonë është ta mbrojmë, ta forcojmë dhe ta zhvillojmë shtetin për të cilin ata sakrifikuan aq shumë. Ilmi Ramadanit dhe gjithë brezave të tij u shprehim mirënjohjen më të thellë institucionale”, tha Rama.
Ndërkaq, profesori Ramë Buja tha se libri i Selatin Novosellës nuk është thjesht një vepër biografike, por një monografi e strukturuar dhe studimore mbi jetën dhe veprimtarinë e Ilmi Ramadanit.
“Libri që po e promovojmë sot, që mund të ishte thjesht biografik, jetëshkrues e përshkrues, ky nuk është i tillë. Ky libër është një monografi e strukturuar, edhe rrëfyese, por më shumë analizuese e studiuese e jetës dhe bëmave të Ilmi Ramadanit, që ishte përherë i thellë, i qartë, përcaktues dhe i bindur në rrugën e vështirë të realizimit të lirisë së Kosovës. Për t’ia njohur këto virtyte njerëzore këtij burri të madh të kombit tonë, është dashur të jesh afër tij dhe me të. Në të liga e në të mira, për të kuptuar edhe esencën e fjalës së urtë popullore ‘Lehtë është t’jesh i mirë në të mira, trimat njihen në raste të vështira’”, u shpreh ai.
Buja tha se autori Selatin Novosella ka pasur fatin të jetë pranë Ilmi Ramadanit, ndërsa edhe vetë ka qenë për një kohë të gjatë bashkëveprimtar i tij.
“Këtë fat e ka pasur autori i këtij libri të mrekullueshëm që mban titullin ‘Ilmi Ramadani, veprimtari qëndrestar’ i Selatin Novosellës. Fati i rastësisë apo e kërkoi vetë që ta kem këtë privilegj edhe unë, që të jem së bashku me Ilmiun kohë relativisht të gjatë. Në vështirësi dhe në punë e angazhim për realizimin e ëndrrës sonë për liri”, tha Buja.
Ai kujtoi kohën e kaluar së bashku me Ramadanin në burgjet serbosllave, si dhe angazhimin e tyre në organizime politike, humanitare dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ishim së bashku për më shumë se një vit e gjysmë në humbellat e burgjeve serbosllave. Ishim bashkë pasi dolëm nga burgu, në organizimet e ndryshme politike, gjithëkombëtare e humanitare.
Ishim së bashku në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vazhduam të jemi bashkë edhe në Qeverinë e Përkohshme të asaj kohe. Ishim bashkë edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ishim bashkë edhe më tutje në një formë apo në një tjetër organizimi”, tha Buja.
Autori Selatin Novosella tha se për librin nuk i takon të flasë, por vlerësoi fjalët e të pranishmëve dhe kujtoi punën e tij të gjatë krijuese.
“Mua për librin s’më takon të flas për dy arsye. Atë çka kam mundur ta them e ju të gjithë i keni bërë librat. Por duke dëgjuar ato katër fjalë të zgjedhura, të përzgjedhura të nderuarit kryetarit të komunës, duke dëgjuar Përparim Ramën, duke dëgjuar mikun e shquar të përhershëm për 16 vjet sa ishte drejtor i Institutit Albanologjike studiues i njohur. Pas fjalëve të një rebeleje, rebeleje si fëmijë e deri sot si skenografe që i bën nder edhe këtij tubimi edhe mua edhe vazhdimit Besjana e kështu me radhë. Dhe ndihem përveç këtyre fjalëve se t’i shkruash 44 libra nuk ka qenë fare punë e lehtë e kam bërë se ka thënë sot e vërtetë”, tha Novosella.
Ai falënderoi Ramë Bujën, duke e cilësuar mik, shok dhe redaktor të pesë librave të tij.
“Por ta kesh një mik, ta kesh shok, ta kesh redaktor të pesë librave sikurse e kam pasur e kam e shpresoj se do ta kem edhe më tutje, Ramë Bujën unë ju falënderoj shumë. Nuk po kërkoj diçka tjetër. Por të shkruash libër për Halit Neshën, për Adil Zihnin, për Rexhep Maderën dhe Isa Kastratin, për Osman Omoshen e tash për Ilmi Ramadanin ishte puna më e lehtë e mundshme”, tha ai.
Sipas tij, jeta dhe biografitë e këtyre veprimtarëve kanë qenë të pasura me trashëgimi dhe domethënie, ndërsa të gjithë kanë qenë bashkëveprimtarë të tij.
“Jeta e tyre, biografia e tyre ishte aq e përsosur, aq e kuptimshme, aq domethënëse me aq trashëgimi që kishin lënë edhe po t’ju shkruash e po sa që është jeta që kishin lënë nuk kanë qenë puna më e lehtë. Pse? Edhe një element mund të jetë që kuptohet më drejtë, nëse ju diku këtu kuptohet gjithmonë drejtë edhe diku tjetër që këtë që të gjithë pa përjashtim ishin bashkëveprimtarët e mi. Përkatësisht unë isha bashkëveprimtari i tyre”, u shpreh Novosella.
Ai tha se Ilmi Ramadani ia kishte kushtuar jetën angazhimit të tij dhe se libri është botuar në përvjetorin e tij.
“Prandaj për Ilmi Ramadanin i thashë moderatores se po ka realizuar Adi deri sot po ngushëllojte miku im Ramë Buja e të gjithë me radhë. I thashë Ramë gjithçka thuaj veç s’mundesh me s’mund të thuash. S’mund të thuash. Adidin kur e dëgjoja edhe Ndrecicën, edhe Ahmetin, edhe Basriun që e mbaj mend, i thashë vetëveti a të ka thënë bre bacë kur s’ka mbetur rehat e më së rehat. Këtij i jetës i ka kushtuar pa asnjë ditë, pa asnjë orë i ka kushtuar Ilmi Ramadani dhe në përvjetorin e tij po dal me këtë libër dhe ndihem vetëm mirë”, tha Novosella. /EO/









