Prokuroria e Specializuar në Hagë ka sulmuar sërish, brutalisht, e në formë të paprecedentë dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dëshmuar në favor të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Ata, përfshirë ish-Komandantin e NATO-s, Wesley Clark, e ish-Diplomatin amerikan, James Rubin, organi i akuzës i etiketon si të njëanshëm, të pabesueshëm, të painformuar e të ndikuar politikisht apo personalisht. Në dosjen finale të ZPS-së, të dorëzuar në Gjykatë, ata përshkruhen si “miq të ngushtë të Hashim Thaçit” dhe “kundërshtarë të Speciales”, dëshmia e të cilëve, sipas Prokurorisë, duhet “të hidhet poshtë si e pabesueshme”.
“Konsiderata të tjera relevante, përfshirë miqësi të ngushta personale me Thaçin, marrëdhënie të afërta biznesore me Thaçin, opinione të keqinformuara lidhur me Gjykatën, si dhe armiqësi të qartë ndaj ZPS-së dhe Gjykatës e theksojnë më tej mungesën e besueshmërisë së dëshmisë së dëshmitarëve të Mbrojtjes dhe duhet të merren parasysh nga Paneli gjatë vlerësimit se çfarë peshe, nëse ka, duhet t’i jepet asaj dëshmie”, thuhet në një pjesë të dosjes finale të Prokurorisë.
DOKUMENT:

Më e pabesueshme përmbajtja e dosjes bëhet në faqen 688, ku qëndrimi i ish-Komandantit Suprem të NATO-s, Wesley Clark, për luftën në Kosovë – se “UÇK-ja ishte në anën e drejtë të historisë” – nga Prokuroria trajtohet jo si vlerësim politik apo historik, por si “tregues i qartë i mungesës së objektivitetit të tij si dëshmitar” e si “detaj i parëndësishëm”.
“Në vend të kësaj, ai tregoi një keqkuptim të qartë të rolit të tij si dëshmitar, duke injoruar ose refuzuar faktet që binin ndesh me bindjen e tij se UÇK-ja ishte në anën e drejtë të historisë, dhe duke ofruar komente të gjata dhe tërthorazi për çështje krejtësisht të parëndësishme për këtë rast”, i drejtohet Prokuroria, Clarkut.

Dosja që tejkalon 700 faqe, shkon edhe më tej, duke e vënë në pikëpyetje kujtesën dhe besueshmërinë e ish-shefit të NATO-s për ngjarjet gjatë luftës në Kosovë, duke sugjeruar se deklarimet e tij janë të paqëndrueshme dhe të kundërshtuara nga provat e tjera.
“Përveç atmosferës në mbledhjen e JIC-së, 1DW-007 gjithashtu vuri theksin në një tjetër takim, në të cilin Thaçi pretendohet se nuk ishte në gjendje të ofronte informacione të kërkuara për shënjestrimin e pozicioneve serbe. Megjithatë, 1DW-007 nuk ishte në gjendje të shpjegonte pse do të kërkonte informacione të ndjeshme në kohë reale për shënjestrim nga një figurë e nivelit të lartë udhëheqës, i cili kishte qenë jashtë Kosovës për të paktën një javë për angazhim ndërkombëtar, kur NATO kishte qasje shumë më të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale në këto informacione, ose pse Thaçi nuk shfaqi asnjë dijeni për një diskutim të tillë kur u intervistua pas takimit. Për më tepër, ndonëse 1DW-007 pohoi gjithashtu se nuk kishte marrë informacione ushtarake nga UÇK-ja, duke ia atribuar këtë mungesës së organizimit të saj, gjatë kundërpyetjeve ai pranoi se në fakt kishte marrë informacione për shënjestrim ushtarak nga UÇK-ja dhe se NATO po merrte informacione nga UÇK-ja, gjë që e forcon më tej mosbesueshmërinë e kujtimeve, përshtypjeve dhe vlerësimeve të tij”, thuhet në dosjen paraprake të Prokurorisë për ish-shefin e NATO-s që udhëhoqi bombardimet për çlirimin e Kosovës.
DOKUMENT:

ZPS aty i trajton dëshmitarët e mbrojtjes si burime të kufizuara, të cekëta dhe të ndikuara nga perceptime personale, duke i minimizuar pretendimet e tyre për mungesë të autoritetit të Thaçit mbi UÇK-në.
“Dëshmitarët e Mbrojtjes së Thaçit u përqendruan gjerësisht në pretendimin e mungesës së autoritetit të Thaçit mbi UÇK-në gjatë dëshmisë së tyre. Megjithatë, siç u bë dukshëm e qartë gjatë rrjedhës së dëshmisë së tyre, këto pretendime nuk kishin bazë, pasi ishin të nxjerra nga vetëm disa kontakte dhe informacion i kufizuar, mund të kundërshtohen lehtësisht nga prova të besueshme në dosje, ishin kontradiktore dhe gjithashtu të bazuara në “përshtypje” të përgjithshme të mbështetura në mënyrë të pamjaftueshme. Ato nuk duhet të kenë asnjë peshë për këtë Panel”, thuhet në një pjesë tjetër të dosjes finale.
Kësi lloj sulmesh ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë, prokurorët kishin bërë edhe në gjykatore, duke thënë se ata “ishin mashtruar nga ish-Presidenti Hashim Thaçi”.
Për të tilla sulme, kishte reaguar edhe mbrojtja e Thaçit përmes amerikanit Pierre Richard Prosper.
“Mund të mos ju pëlqejnë. Dhe nuk keni nevojë që t’ju pëlqejnë. Mund të mos respektoni dëshmitarët tanë ndërkombëtarë si individë. Dhe nuk keni nevojë që t’i respektoni. Por duhet të respektoni rolet e tyre, profesionet e tyre, dhe kë të përfaqësonin. Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, qeverinë britanike, NATO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, thoshte Prosper. /VoxKosova/






