“Iu bastis banesa dhe iu sekuestruan rreth 7 mijë euro”, krejt çka dihet deri tani për arrestimin e Astrit Haraqisë për drogë

- Advertisement -

Rreth 7 mijë euro para të gatshme janë sekuestruar gjatë bastisjes së banesës së ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, i cili është arrestuar të shtunën mbrëma në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, që lidhet me hetimet për trafikim të dyshuar të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Lajmin për arrestimin, bastisjen dhe sekuestrimin e parave e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka thënë se Haraqija ka deklaruar se paratë i përkasin fëmijëve të tij.

Sipas Bokshit, gjatë kontrollit në banesë nuk është gjetur asgjë që do ta inkriminonte klientin e tij për veprën penale për të cilën dyshohet.

“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. Megjithatë, gjatë bastisjes janë sekuestruar rreth 7 mijë euro para të gatshme, për të cilat Haraqia ka deklaruar se u përkasin fëmijëve të tij”, ka deklaruar avokati Bokshi për Gazetën Online Reporteri.net.

Haraqijsë i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Avokati Bokshi ka bërë të ditur se klienti i tij është marrë në pyetje lidhur me disa persona që dyshohet se kanë të bëjnë me rastin e trafikimit të narkotikëve.

“E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh”, ka thënë Bokshi.

Ai ka konfirmuar se ka paraqitur ankesë te gjyqtari kundër vendimit për ndalimin 48-orësh të Haraqisë.

Bokshi ka mohuar se klienti i tij ka lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria.

“Sipas komunikimeve të drejtpërdrejta me Astritin, nuk ka lidhje me veprën penale për çka pretendon prokurori”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme

Të fundit