Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga 1 korriku 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik, në kuadër të zgjerimit të procesit të digjitalizimit të këtij shërbimi.
Sipas njoftimit, biletat e blera përmes kuletës digjitale ose me SMS, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike.
Komuna ka bërë të ditur se ndryshimet do të përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore dhe mujore, si dhe biletën për linjën e Aeroportit. Po ashtu, me çmimet e reja do të përfshihen edhe biletat vjetore dhe biletat korporative në format digjital.
“Digjitalizimi i transportit publik vazhdon të zgjerohet. Nga 1 korriku 2026 hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik. Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Komuna ka bërë të ditur se vendimi i plotë, me të gjitha çmimet e reja të biletave, është publikuar bashkë me njoftimin.







