Prishtina e ka shkatërruar Llapin, në ndeshjen e xhiros së tretë në Superligën e Kosovës.
Skuadra kryeqytetase e ka mposhtur Llapin e Tahir Batatinës me shifrat prej 4-0, me ndeshjen e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Assane Diatta shkëlqeu me dy gola, derisa Albin Krasniqi e Fazlija shënuan nga një gol.
Diatta shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e dytë të takimit.
Kështu u mbyll edhe pjesa e parë, derisa në minutën e 63-të, Krasniqi e dyfishoi epërsinë e prishtinasve.
Diatta shënoi edhe një herë për 3-0, derisa festivalin e golave e mbylli Fazlija në minutën e 84-të.
Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e gjashtë pikëve nga dy ndeshjet e para, me një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi përballja ndaj Dritës është shtyrë.
Ndërkohë, Llapi ka tri humbje nga tri ndeshjet e para, me llapjanët që qëndrojnë të fundit në tabelën e klasifikimit në Superligën e Kosovës.






