Presidentja sllovene aksidentohet gjatë kthimit nga Kroacia, përfundon në spital

- Advertisement -

Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka pësuar lëndime të lehta në një aksident trafiku që ndodhi dje pasdite në tunelin Kastelec, në autostradën Primorska në Slloveni. Ajo u dërgua në spitalin e Izolës, ku mbeti nën vëzhgim, raporton RTV SLO.

I njëjti medium bën të ditur se aksidenti ndodhi teksa Pirc Musar po kthehej nga pushimet vjetore në Kroaci.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Pirc Musar po kthehej nga pushimet vjetore në Kroaci për të marrë pjesë në një ngjarje zyrtare në Komenda, ku është mbrojtëse e manifestimit humanitar të çiklizmit Pogi Challenge, i organizuar nga çiklisti më i mirë në botë, Tadej Pogaçar.

Drejtoria Policore e Koperit njoftoi se në aksident u përfshinë dy automjete zyrtare policore të eskortës së personit të mbrojtur. Sipas informacioneve të deritanishme, dy persona janë lënduar – njëri ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa tjetri lëndime të rënda trupore. Të dy u transportuan me autoambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Izolës.

Për shkak të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe ndërhyrjeve emergjente, tuneli Kastelec ishte përkohësisht i mbyllur për të gjithë trafikun, ndërsa u rihap pak pas orës 20:00.

Policia ende po i përcakton rrethanat e aksidentit, ndërsa për ngjarjen është njoftuar edhe departamenti kompetent i Prokurorisë së Specializuar Shtetërore të Sllovenisë.

Presidentja e Sllovenisë falënderoi të gjitha shërbimet emergjente që morën pjesë në ndërhyrje, ndërsa një falënderim të veçantë ua shprehu stafit profesional dhe të sjellshëm të Spitalit të Përgjithshëm të Izolës.

Të ngjashme

Të fundit