Albulena Haxhiu ka organizuar pritje për ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, të cilët janë me mision në kryeqytete të ndryshme të botës.
Njoftimin për këtë organizim e kanë kumtuar faqja e Presidencës së Kosovës, si dhe ajo e Kuvendit të Kosovës.
Në njërën Haxhiut iu referohet në fillim si U.D Presidente e në tjetrën si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar akoma, teksa Haxhiu ka fituar edhe mandatin e deputetes në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kështu në seancën konstituive e cila akoma nuk ka mbaruar, ajo është ulur si deputete teksa bartë edhe dy nga tri funksionet më të larta të shtetit, U.D presidente dhe kryetare e Kuvendit e legjislaturës së kaluar.
Në organizimin e Haxhiut ajo tha se ecili prej tyre shërben në një mjedis tjetër politik dhe e sheh nga afër se si ndryshojnë interesat dhe aleancat.
“Ajo që shqetëson Uashingtonin nuk është gjithmonë ajo që shqetëson Brukselin, Ankaranë apo ndonjë kryeqytet tjetër. Shumë prej dallimeve që dikur na ndihmonin ta kuptonim botën po bëhen më pak të qarta. Aleatët nuk pajtohen, rivalët bashkëpunojnë aty ku u leverdis, ndërsa interesat shpesh peshojnë më shumë se ndarjet që i kemi marrë si të qëndrueshme. Dhe pikërisht kur gjërat ndryshojnë kaq shpejt, diplomacia kërkon durimin për të punuar edhe kur rezultati nuk duket menjëherë. Thuhet se ‘nuk ka asgjë dramatike në suksesin e një diplomati’, ngase ato përparime të vogla që, në shikim të parë, mund të duken krejt të parëndësishme: një bisedë në kohën e duhur, një marrëdhënie e ruajtur me kujdes, këmbëngulja për t’iu kthyer një çështjeje që nuk zgjidhet herën e parë. Besoj se këtë pjesë të punës e njihni shumë mirë. Rrallëherë puna juaj bëhet lajm, por shpesh pikërisht aty nisin gjërat që më vonë marrin rëndësi”, tha U.D Presidentja, kryeparlamentarja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës.






