Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar KFF Mitrovicën për kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League, duke e cilësuar këtë sukses si një arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës.
Kampionet e Kosovës siguruan avancimin pasi triumfuan në finalen e miniturneut kualifikues të raundit të parë, duke mposhtur kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, me rezultat të pastër 2:0.
Në mesazhin e tij, Ademi theksoi se ky sukses është rezultat i punës, disiplinës dhe përkushtimit të futbollisteve, të cilat po dëshmojnë vazhdimisht se futbolli i femrave në Kosovë është në ngritje dhe po korr rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
“Ky sukses është shpërblim për punën, disiplinën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të futbollisteve, të cilat edhe një herë dëshmuan se futbolli i femrave në Kosovë po ecën me hapa të sigurt drejt sukseseve ndërkombëtare”, ka shkruar Ademi.
Presidenti i FFK-së u ka shprehur përgëzime të veçanta futbollisteve, trajnerit Shpëtim Idrizi, stafit teknik, drejtuesve të klubit dhe gjithë qytetarëve të Mitrovicës për këtë arritje historike.
Në fund, Ademi u ka uruar suksese KFF Mitrovicës në sfidat e radhës, duke shprehur besimin se kampionet e Kosovës do të vazhdojnë ta përfaqësojnë me dinjitet futbollin kosovar në garat evropiane.







