Presidenti Agim Ademi ka uruar KFF Dukagjini për triumfin në Kupën e Kosovës në futboll për femra, pas fitores ndaj KFV Prishtina në finalen dramatike të zhvilluar pas 120 minutave lojë dhe penalltive, shkruan Scanner.
Ademi e cilësoi finalen si një përballje me rivalitet, emocione dhe shumë luftë sportive, ku koha e rregullt përfundoi 1:1. Dukagjini kaloi herët në epërsi me golin e Olsa Kuçit në minutën e katërt, ndërsa Prishtina barazoi në fund të takimit përmes Rreze Gashit në minutën e 86-të.
Sipas tij, edhe vazhdimet sollën raste interesante dhe goditje shtyllash nga të dyja skuadrat, por fituesi u përcaktua vetëm pas penalltive, ku futbollistet e Dukagjinit triumfuan me rezultat 5:4, duke fituar trofeun për të dytin vit radhazi.
Ai përgëzoi futbollistet, stafin teknik, drejtuesit dhe tifozët e Dukagjinit për suksesin, derisa shprehu respekt edhe për Prishtinën për paraqitjen dinjitoze në finale. Ademi theksoi se do të vazhdojnë angazhimin për rritjen dhe fuqizimin e futbollit të vajzave në Kosovë.
Postimi i plotë:
Urime KFF Dukagjini për triumfin në Kupën e Kosovës! 🏆🟢⚪️🎉
Një finale me rivalitet, emocione dhe shumë luftë sportive, ku as 120 minuta lojë nuk mjaftuan për ta përcaktuar fituesin (1:1). Vajzat nga Klina kaluan herët në epërsi me golin e Olsa Kuçit (4’), ndërsa KFV Prishtina nuk u dorëzua dhe arriti t’i barazojë shifrat në fund të takimit me golin e Rreze Gashit (86’), duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Edhe 30 minutat shtesë sollën lojë interesante dhe raste me goditje shtyllash nga të dyja skuadrat, por pa gola. Në fund, penalltitë vendosën fituesin, ku më të sakta u treguan futbollistet e Dukagjinit (5:4) duke festuar këtë trofe për të dytin vit radhazi.
Përgëzime për futbollistet, stafin teknik, drejtuesit dhe tifozët e KFF Dukagjini për këtë sukses të merituar. Respekt dhe vlerësim edhe për KFV Prishtina për paraqitjen dinjitoze dhe finalen e zhvilluar në nivel të lartë sportiv.
Së bashku do të vazhdojmë ta rrisim dhe fuqizojmë futbollin e vajzave.
Urime KFF Dukagjini dhe suksese edhe në të ardhmen! 👏⚽️💚






