Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar FC Prishtina 01 për triumfin e pestë në Kupën e Kosovës në futsall.
“Përgëzime të sinqerta për lojtarët, trajnerët dhe gjithë stafin e klubit kryeqytetas për këtë sukses të jashtëzakonshëm, pasi ky është trofeu i pestë në këtë garë, një arritje që flet qartë për dominimin dhe vazhdimësinë e tyre në futsallin kosovar”, është thënë në urimin e Ademit.
Urimi i plotë:
🏆 Urime FC Prishtina 01 për triumfin e pestë në Kupën e Kosovës në futsall
Një finale e mbushur me ritëm të lartë, emocione dhe rivalitet të fortë sportiv u kurorëzua me fitoren e merituar të FC Prishtina 01 ndaj FC Liqeni, me rezultat 6:3.
Përgëzime të sinqerta për lojtarët, trajnerët dhe gjithë stafin e klubit kryeqytetas për këtë sukses të jashtëzakonshëm, pasi ky është trofeu i pestë në këtë garë, një arritje që flet qartë për dominimin dhe vazhdimësinë e tyre në futsallin kosovar.
Pa dyshim ky sukses vjen si rezultat i punës së madhe, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm brenda klubit.
Respekt dhe vlerësim edhe për FC Liqenin për paraqitjen dinjitoze dhe lojën e fortë deri në fund.
Kjo finale ishte një tjetër dëshmi e nivelit në rritje të futsallit në Kosovë, për çka e përgëzoj edhe Komisionin e Futsallit për organizimin e mirë dhe për punën e vazhdueshme në ngritjen e këtij sporti në vendin tonë.






