Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka uruar KF Dukagjinin për triumfin historik në Kupën e Kosovës, pasi skuadra nga Klina mposhti Ferizajn me rezultat 2:1 në finalen e zhvilluar me rivalitet dhe emocione të mëdha.
Ademi e cilësoi finalen si një përballje fantastike, duke vlerësuar paraqitjen e të dy skuadrave për futbollin cilësor dhe spektaklin e dhuruar për tifozët, shkruan Scanner.
Ai theksoi se ky sukses ka rëndësi të veçantë për Dukagjinin, pasi klubi fitoi për herë të parë në histori trofeun e Kupës së Kosovës, duke siguruar njëkohësisht edhe pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Presidenti i FFK-së përgëzoi futbollistët, stafin teknik, drejtuesit dhe tifozët e Dukagjinit për këtë arritje, ndërsa shprehu respekt edhe për Ferizajn për paraqitjen dinjitoze në finale.
Ademi komentoi edhe tensionet në fund të ndeshjes dhe largimin e përkohshëm të futbollistëve të Ferizajt nga fusha, duke e cilësuar si veprim të ngutshëm që la hije mbi finalen, teksa bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe kontroll në ndeshje të tilla të mëdha.
Urimi i plotë:
Urime KF Dukagjini për triumfin historik në Kupën e Kosovës! 🏆💚
Një finale fantastike ndërmjet Ferizajt dhe Dukagjinit, e zhvilluar me ritëm të lartë, rivalitet dhe emocione të mëdha deri në fund, ku Dukagjini arriti të triumfojë me rezultat 2:1, në një përballje ku të dyja skuadrat dhuruan futboll cilësor dhe spektakël për tifozët e pranishëm.
Ky sukses ka vlerë të veçantë për klubin nga Klina, pasi për herë të parë në histori fiton trofeun e Kupës së Kosovës. Njëkohësisht, ky triumf ia siguron Dukagjinit edhe pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm për klubin në arenën ndërkombëtare.
Përgëzime për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe gjithë tifozët e Dukagjinit për këtë arritje të madhe.
Respekt edhe për Ferizajn për paraqitjen dinjitoze dhe luftën sportive gjatë gjithë finales.
Falënderim i veçantë edhe për tifozët e të dyja skuadrave, të cilët krijuan atmosferë madhështore dhe e bënë këtë finale një festë të vërtetë të futbollit kosovar. 👏⚽️🔥
Momentet e tensionit në fund të takimit dhe largimi i përkohshëm i futbollistëve të Ferizajt nga fusha ishte një veprim i ngutshëm dhe i la hije jo të mirë finales. Emocionet në ndeshje të tilla të mëdha kërkojnë gjithmonë vetëpërmbajtje dhe kontroll nga të gjithë akterët, pasi çdo veprim i pamatur prish imazhin e futbollit dhe dënohet me aktet normative.







