Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka vazhduar serinë pozitive në Ligën C të kualifikimeve për Botërorin 2027, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi.
Pas triumfeve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, “Dardanet” kanë mposhtur edhe Bullgarinë në Sofje me rezultat 3:1, duke konfirmuar formën e lartë dhe konsistencën në rezultate.
Ndeshja nisi jo mirë për Kosovën, që u gjend në disavantazh, por reagimi i ekipit ishte i menjëhershëm. Vashat tona treguan karakter të fortë, duke përmbysur rezultatin me tre gola dhe duke siguruar një fitore të merituar në transfertë.
Ky rezultat konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt objektivit për promovim në Ligën B, që tashmë duket gjithnjë e më afër. Megjithatë, nga ekipi kërkohet të ruajë përkushtimin dhe fokusin deri në përfundim të kualifikimeve.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përgëzoi skuadrën për paraqitjen dhe rezultatet e arritura.
“Urime fitorja Dardane! Kombëtarja jonë po dëshmon cilësi, karakter dhe profesionalizëm në çdo ndeshje. Këto rezultate janë fryt i punës së palodhshme dhe përkushtimit maksimal të lojtareve dhe stafit teknik”, ka deklaruar Ademi.
Ai vlerësoi edhe punën e përzgjedhësit Sami Sermaxhaj dhe stafit të tij.
“Përgëzime për lojtaret dhe stafin teknik në krye me Sami Sermaxhajn për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar. Jemi në rrugë të mirë drejt arritjes së objektivit tonë, por duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe seriozitet”, shtoi ai.
Kosova do të synojë të vazhdojë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme.






