Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me legjendën e futbollit botëror, Ronaldon, gjatë një ngjarjeje të FIFA-s në SHBA, raporton Scanner
Me këtë rast, Ademi kujtoi vizitën historike të “Fenomenit” në Kosovë në qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur ai, si Ambasador i Vullnetit të Mirë i OKB-së, vizitoi Gjakovën dhe u dha shpresë e mbështetje morale qytetarëve në një nga periudhat më të vështira për vendin.
“Një kampion i madh brenda dhe jashtë fushës, të cilin Kosova nuk e harron kurrë”, shkroi Ademi, duke e cilësuar takimin me Ronaldon si një kënaqësi të veçantë.
Postimi i plotë:
Kënaqësi e veçantë të takohem me legjendën e futbollit botëror, ‘Fenomenin’ Ronaldo. ⚽🇧🇷
Përtej fushës së gjelbër, Ronaldo ka një vend të veçantë në zemrat tona. Në qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, ai vizitoi Kosovën si Ambasador i Vullnetit të Mirë i OKB-së. Me vizitën e tij historike në Gjakovën e shkatërruar nga lufta, ai u dha shpresë dhe mbështetje morale qytetarëve tanë në ditët më të vështira.
Një kampion i madh brenda dhe jashtë fushës, të cilin Kosova nuk e harron kurrë!






