Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka shprehur mirënjohje për katër gjyqtarë të futbollit, të cilët i kanë dhënë fund karrierës së tyre aktive në fushën e gjykimit.
Në hapje të Seminarit të FIFA-s për gjyqtarët, Ademi, në praninë e komunitetit të referimit, ka nderuar referin kryesor Burim Jahmurataj dhe referët asistentë Bujar Selimaj, Besnik Morina e Fatlum Berisha për kontributin e tyre ndër vite në futbollin kosovar.
Sipas Ademit, katër gjyqtarët kanë shërbyer me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme për gjeneratat e reja.
“Jam veçanërisht i lumtur që përvoja e tyre nuk do të humbasë. Përkundrazi, ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e familjes së referimit, duke marrë role të reja zhvillimore në edukimin, mentorimin dhe avancimin e gjeneratave të reja të gjyqtarëve”, ka shkruar Ademi.
Ai i ka falënderuar për përkushtimin, sakrificën dhe kontributin e tyre në zhvillimin e futbollit të Kosovës, duke theksuar se ata e kanë përfaqësuar me dinjitet referimin kosovar brenda dhe jashtë vendit.
Në fund, presidenti i FFK-së u ka uruar shëndet, suksese dhe arritje në kapitullin e ri të angazhimit të tyre në shërbim të referimit.
https://www.facebook.com/share/p/1Jgnus9ZGe/






