Presidenti Ademi merr pjesë në Samitin Ekzekutiv të FIFA-s në Miami: Fokus investimet prej 5 miliardë dollarësh për zhvillimin e futbollit

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po merr pjesë në Samitin Ekzekutiv të Futbollit të FIFA-s, i cili po mbahet në Miami në kuadër të aktiviteteve të Kupës së Botës 2026.

Në këtë samit janë mbledhur drejtues të federatave nga e gjithë bota për të diskutuar mbi të ardhmen e futbollit, me fokus të veçantë në programin FIFA Forward, investimet në zhvillimin e lojës dhe krijimin e mundësive të reja për federatat kombëtare.

Sipas Ademit, një nga temat kryesore të diskutimit është zhvillimi i të rinjve, i cili konsiderohet themeli i suksesit afatgjatë të çdo federate. Ai theksoi se ekziston pritshmëria që në ciklin e ardhshëm FIFA të rrisë investimet për zhvillimin global të futbollit.

Fondet e planifikuara, që kapin vlerën e rreth 5 miliardë dollarëve, synojnë të mbështesin ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive, realizimin e projekteve zhvillimore, avancimin e sistemeve të edukimit, si dhe proceset e digjitalizimit në futboll.

“Këto investime janë thelbësore për forcimin e federatave në mbarë botën, me theks të veçantë në zhvillimin e vajzave dhe djemve në futboll, si dhe në masovizimin e lojës përmes programeve si FIFA Arena, duke krijuar mundësi që sa më shumë fëmijë të përfshihen në sport,” u shpreh Ademi.

Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me FIFA në investimet për rininë, infrastrukturën sportive dhe zhvillimin e futbollit në vend.

“Kosova mbetet e përkushtuar që, përmes partneritetit me FIFA-n, të vazhdojë investimin në rini, infrastrukturë dhe të ardhmen e futbollit tonë”, ka deklaruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Të ngjashme

Të fundit