Rizvanolli: Në qeverisjen e Haradinajt, KEK-u shënoi rekordet më të ulëta të prodhimit

- Advertisement -

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj lidhur me projektin e gazit amerikan dhe çështjen në sektorin e energjisë.

Rizvanolli ka thënë se projekti i gazit amerikanë ka qenë ide e qeverive të Kosovës. Por, sipas saj për këtë projekt nuk ka qenë e menduar se ka do të merret gazi e aq më pak çmimi.

“Sipas informatave që kam marrë si Ministre nga MCC në atë kohë, projekti ka qenë ide e qeverive të mëhershme të Kosovës e jo ide “amerikane”, dhe se në fakt nuk ka qenë e menduar se nga do të merrej gazi, e aq më pak të analizohej se me çfarë çmimi, e çfarë efekti do të kishte në tarifa të energjisë. Me këtë rast, përveç pyetjeve më lart që nuk i ka shpjeguar kurrë, z. Haradinaj ndoshta mund të na shpjegojë edhe si ndodhi që në projektin e dizajnuar në kohën e tij, nga ekipi i zhvillimit të projektit i Qeverisë së tij ishte paraparë, ndër të tjera, edhe ndërtimi i një gypi për të furnizuar Ferronikelin me gaz në vlerë 20 milionë Euro që do t’i paguanin taksapaguesit amerikanë, përmes MCC-së, ndërkohë që menaxhmenti i Ferronikelit deklaronte që gazin nuk do ta përdorte fare për prodhim (por NDOSHTA për ngrohje gjatë dimrit, NËSE do të ishte çmimi i favorshëm)”, ka shkruar ajo në një reagim të gjatë në Facebook.

Rizvanolli ka thënë se edhe marrëveshja që Haradinaj kishte nënshkruar me Contour Global u bë në shkelje të Ligjit të prokurimit publik; që kosto e ndërtimit në atë projekt ishte gati dyfish sa mesatarja botërore; që kompanisë private iu garantua fitim shumë i lartë, ndërkohë që komplet riskun e mori shteti/qytetari; e që me atë projekt do të kishim rritje të tarifave për së paku 60%.

Ajo ka thënë se edhe deklarimet se gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar 259 milionë euro energji elektrike është i pavërtetë. Sipas saj, shifra reale është e fryrë rreth 1.5 herë.
Rizvanolli ka thënë se importi është bërë edhe për shkak të investimeve në termocentralet e KEK-ut, që siç ka thënë ajo nuk ka ndodhur një gjë e tillë që nga ndërtimi i tyre.
Ajo ka thënë se në qeverisjen e Haradinajt, KEK-u ka pasur rekordet më të ulëta të prodhimit.

“Sasia e importit në vitet 2023 dhe 2025 është rritur edhe për shkak se janë bërë e po bëhen investime në KEK që nuk janë bërë që nga ndërtimi i termocentraleve, pikërisht për ta mbyllur këtë derë. Mirëpo, një fakt interesant është që në kohën kur z. Haradinaj ka qeverisur, KEK-u ka pasur rekordet më të ulta të prodhimit në 10 vitet e fundit, nëse heqim vitet e investimeve.

Përkatësisht, KEK ka prodhuar vetëm 5.2 TWh, 5.1 TWh dhe 5.5 TWh në vitet 2017-19, krahasuar me 5.8 TWh meatarisht në vitet tjera kur nuk ka pasur investime”, ka shkruar Rizvanolli.

Të ngjashme

Të fundit