Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës për fitoren në nisje të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Ademi e ka cilësuar triumfin si një dëshmi se Kombëtarja është e gatshme për një kapitull të ri, me besim dhe ambicie të reja.
Ai ka përmendur edhe humbjen në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026 ndaj Turqisë, duke thënë se Kosova dha përgjigjen më të mirë në fushë duke vazhduar përpara.
Në reagimin e tij, Ademi ka veçuar edhe atmosferën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku, krahas mbështetjes për Kombëtaren, u përcoll edhe një mesazh në mbështetje të çlirimtarëve.
“Sonte fituam në fushë, por fituam edhe në unitet, krenari dhe dashuri për Kosovën”, ka shkruar Ademi.
Ai ka falënderuar futbollistët, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin teknik, “Dardanët”, tifozët, ekipin organizativ dhe institucionet e rendit e sigurisë për kontributin në mbarëvajtjen e ndeshjes.
Në fund, Ademi e ka mbyllur mesazhin me thirrjen: “LIRIA KA EMËR! PËR ÇLIRIMTARËT!” 🇽🇰💛💙
Postimi i plotë:
🇽🇰 Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Ju lumtë, Dardanë! 💙
E nisëm edicionin e ri të Ligës së Kombeve me fitore dhe me një paraqitje që dëshmon se Kombëtarja jonë është e gatshme të hapë një kapitull të ri, me besim, përkushtim dhe ambicie të reja.
Pas zhgënjimit të humbjes në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026 ndaj Turqisë, sonte dhamë përgjigjen më të mirë në fushë: vazhdojmë përpara, më të fortë dhe më të bashkuar drejt objektivave tona të reja.
Stadiumi “Fadil Vokrri” sonte ishte i veçantë. Përveç lojës së Kombëtares dhe atmosferës fantastike të krijuar nga “Dardanët”, nga tribunat dhe në fushë u përcoll edhe një mesazh i fuqishëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë. Një mesazh që na kujton se liria jonë ka një histori, sakrificë dhe emra që nuk harrohen.
👏 Përgëzime për secilin futbollist për angazhimin, karakterin dhe përkushtimin e treguar gjatë 90 minutave.
👏 Mirënjohje për përzgjedhësin Franco Foda dhe gjithë stafin teknik për punën dhe përkushtimin e tyre.
💙 Faleminderit “Dardanëve” dhe të gjithë tifozëve që ishin sonte në “Fadil Vokrri” dhe që i dhanë zemër ekipit.
Mirënjohje edhe për ekipin organizativ, institucionet e rendit dhe sigurisë dhe të gjithë ata që kontribuuan që kjo mbrëmje të përmbyllej me sukses.
Sonte fituam në fushë, por fituam edhe në unitet, krenari dhe dashuri për Kosovën. 🇽🇰
LIRIA KA EMËR!
PËR ÇLIRIMTARËT! 🇽🇰💛💙
#Kosova #Dardanët #MeFutbollinPërKosovën







