Analisti politik Xhevdet Pozhari, ka folur për mundësinë e një bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve.
Pozhari tha se brenda LDK-së ka deputetë që janë skeptikë ndaj një bashkëpunimi të tillë, por vlerësoi se mungesa e votave mund të kompensohet nga Aleanca.
“Aleanca me votat e saj mund ta kompensojë atë mungesë të atyre deputetëve që janë skeptikë për bashkëpunimin midis LDK-së dhe LVV-së, kryesisht deputetë të LDK-së. Por, nëse vijmë në këtë pikë, duhet t’i shohim zhvillimet, sepse ne kemi pritur që bisedimet të fillonin më herët, pasi rezultatet janë ditur që në fillim dhe nuk ka pasur nevojë të pritej certifikimi i tyre”, tha Pozhari në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas tij, zhvillimet e brendshme në LDK kanë ndikuar në ngadalësimin e procesit të negociatave.
“Siç duket, zhvillimet brenda LDK-së i kanë stopuar disa gjëra, sepse LDK-ja, para së gjithash, ka problem me vetveten. Brenda këtij subjekti politik po zhvillohet një betejë e brendshme. Megjithatë, besoj se kjo situatë do të kalojë. E shoh që z. Abdixhiku mund ta rikonfirmojë edhe një herë lidershipin e tij, ndonëse ka zëra, jo pak të rëndësishëm, brenda partisë që kanë dalë kundër tij dhe kanë kërkuar përgjegjësi si kryetar i partisë”, u shpreh ai.
Pozhari shtoi se pakënaqësitë brenda LDK-së lidhen me rezultatin e zgjedhjeve, duke vlerësuar se një rezultat më i mirë do t’i kishte zbutur kritikat ndaj udhëheqjes së partisë.
“Kjo pakënaqësi brenda LDK-së vjen si pasojë e rezultatit zgjedhor. Sikur rezultati i zgjedhjeve të kishte qenë më i kënaqshëm për LDK-në, sido që të ishte, ata zëra do të heshtnin për një kohë”, deklaroi Pozhari.






