Analisti Xhevdet Pozhari, ka vlerësuar se procesi i negociatave ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit ka “shumë nuanca të dështimit”.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Pozhari ka thënë se palët po taktizojnë me qëllim që, në rast të dështimit të marrëveshjes dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, secila prej tyre të ketë argumentet e veta për përgjegjësinë e procesit.
Sipas tij, nëse ndërmjet VV-së dhe LDK-së do të kishte mirëbesim, tashmë do të duhej të ishin diskutuar emrat për presidentin.
“Kur e shohim gjithë këtë fazë, është e vërtetë që prej datës 7 qershor kanë kaluar tre muaj. Kjo temë dihet që moti. Sikur të kishte mirëbesim mes palëve, unë mendoj që politikanët e theksojnë nganjëherë atë që duan ta arrijnë e jo atë që është në tavolinë. Atëherë ne sonte nuk do të kishim asnjë arsye të mos dëgjojmë emrat për president”, ka deklaruar Pozhari.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe rreth mundësisë që një emër i propozuar të mos e pranojë kandidaturën.
“Plus, nga Kurti u tha që nuk janë emra që i kemi pyetur paraprakisht. Pra, çfarë nëse arrihet një dakordim dhe ai emër nuk pranon? Andaj unë them se ky proces i negocimit ka shumë nuanca të dështimit. Këtu partitë janë duke taktizuar, sepse nëse vijmë deri te zgjedhjet e pashmangshme, atëherë secila parti duhet t’i ketë argumentet e saj”, ka thënë ai.
Pozhari ka shtuar se nuk e sheh si zgjidhje të mirë përsëritjen e zgjedhjeve me shpresën se do të ndryshojë vullneti i qytetarëve. Sipas tij, partitë politike duhet të tregojnë më shumë gatishmëri për bashkëpunim dhe të shmangin bllokadat e vazhdueshme.
“Për PDK-në dhe Aleancën dihet se si janë pozicionuar, ndërsa te LDK-ja, që është në pozitën më fragjile dhe e goditur pas një procesi zgjedhor më 7 qershor, por edhe atij të brendshëm, mendoj që duhet të luajë shumë kujdesshëm”, është shprehur Pozhari.
Ai e cilësoi situatën politike si pasojë të mungesës së pajtimit ndërmjet subjekteve politike.
“Unë mendoj që Kushtetuta nuk është e sëmurë, por politikanët i ka kapur një virus – virusi i mosmarrëveshjeve, virusi i mospajtimeve dhe ndasive të skajshme. Nuk mendoj që është ide e duhur që vazhdimisht të provokohen zgjedhje me shpresën që do të zbehet vullneti i qytetarëve, sepse dihet kush është fituesi i zgjedhjeve për herë të tretë me radhë. Partitë politike duhet të jenë bashkëpunuese dhe të mos gjejnë gjithmonë arsye për bllokim”, ka përfunduar ai.






