Policia e Kosovës ka dalë me sqarim pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili e ka shpallur të paligjshëm një dispozitë të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes, që lidhet me mbajtjen e përkohshme të patentë-shoferëve.
Policia ka bërë të ditur se vendimi i Supremes përcakton se patentë-shoferët nuk mund të mbahen fizikisht nga Policia për më shumë se tetë ditë.
Për këtë arsye, Policia ka njoftuar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të marra përkohësisht, për të cilat ka kaluar afati ligjor i mbajtjes.
Megjithatë, Policia ka theksuar se ky vendim nuk e anulon masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit. Personat ndaj të cilëve është shqiptuar kjo masë vazhdojnë të mos kenë të drejtë të vozisin deri në përfundimin e saj, edhe nëse patentën e kanë në posedim.
Sipas Policisë, drejtimi i automjetit gjatë periudhës së ndalimit dënohet me 500 euro gjobë, gjashtë muaj ndalim të drejtimit, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse përmes evidencave zyrtare.
Sqarimi i plotë:
Sqarim lidhur me zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme për marrjen e përkohshme të patentave të shoferëve
Prishtinë, 3 nëntor 2026
Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më datën 2 nëntor 2026 ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës P. A. nr. 29/2026, të datës 20 tetor 2026, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes.
Policia, sqaron se ky aktgjykim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë. Të gjitha këto masa vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme sipas afatit për të cilin janë shqiptuar.
Ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentave të shoferëve nga Policia, e cila, sipas nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8) ditë.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme.
Policia thekson se kthimi fizik i patentave të shoferëve nuk nënkupton se personi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse. Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit vazhdojnë ta kenë të ndaluar drejtimin e automjetit deri në përfundimin e saj.
Gjithashtu, Policia e Kosovës rikujton se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse përbën kundërvajtje për të cilën ligji parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë (6) muaj, pesë (5) pikë negative, si dhe konfiskimin e përkohshëm të automjetit, sipas nenit 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Policia e Kosovës do të vazhdojë kontrollet në trafikun rrugor dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore përmes evidencave përkatëse, me qëllim të garantimit të sigurisë në trafikun rrugor.






