Policia e Kosovës ka njoftuar për kontrolle në dy lokacione në Mitrovicë të Veriut të dielën. Përgjatë kontrollit ka shoqëruar në stacion policor një të dyshuar, si dhe i janë sekuestruar armë e emblema.
“Po ashtu aktivitet policore kanë vazhduar edhe në Mitrovicë Veri, ku janë kryer kontrolle në dy lokacione, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të një personi të dyshuar për të vazhduar me procedura të mëtejme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas policisë, të dyshuarit iu janë sekuestruar pushkë gjuetie, thika, emblema, shall maskues e karikator për pistoletë ndër të tjera.
“Ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, ruajtja e pronës publike dhe private, zbatimi i ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”.
“Po ashtu, Policia falënderon mediat e qytetarët për bashkëpunimin e ofruar dhe fton ata që tu referohen vetëm informacioneve zyrtare, si dhe për çfarëdo informate që posedojnë e që ndërlidhet me sigurinë u lutemi të lajmërojnë në stacionin më të afërt të Policisë, ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected]”.
Policia po ashtu njoftoi edhe për konfiskimin e dy armëve të gjuetisë dhe një karabinë M48 në Varagë të Zubin Potokut.