Disa policët kufitarë kosovarë i dërguan të fala presidentit amerikan, Donald Trump, përmes këshilltarit dhe mikut të tij pastorit Mark Burns, të cilin e befasuan me dhurata gjatë largimit të tij nga Kosova.
Atij ia bën me dije se dhuratën me stemën e institucionit që përfaqësojnë ia dhanë për fjalët e mira që i tha dy ditë më parë kur e vlerësoi lartë punën e policisë në sigurimin e vizitës së tij, por edhe të objekteve fetare në Kosovë, sidomos të atyre që i takojnë Kishës Ortodokse Serbe e të cilat i vizitoi bashkë me Patriarkun Porfirije .
“U ndjeva thellësisht i nderuar që mora një dhuratë të veçantë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare”, shkroi Burns në postimin që e shoqëroi me videon. “Këta zyrtarë policorë ishin caktuar të ndihmonin në sigurimin e delegacionit tonë, së bashku me Shenjtërinë e Tij, Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe. Profesionalizmi, mirësia dhe gatishmëria e tyre për të shërbyer më prekën thellë”.
Ai falenderoi në fund edhe “popullin dhe shtetin e bukur të Kosovës, Shenjtërinë e Tij Patriarkun Porfirije, si dhe Policinë e Kosovës për mikpritjen dhe përkushtimin tuaj ndaj paqes, sigurisë dhe respektit të ndërsjellë”.






