Ai nuk luan gjithmonë shumë minuta, por kur është në fushë, ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm.
Paradoksi i madh i sezonit të Güler është se shumë njerëz vazhdojnë ta shohin si një talent që ende po pret mundësinë e madhe. Statistikat, megjithatë, tregojnë një histori krejt tjetër.
Sipas tyre, turku është shndërruar në një nga motorët krijues të sulmit të Real Madridit dhe aktualisht po tejkalon emra si Lamine Yamal, Rayan Cherki dhe Michael Olise.
Statistika mbresëlënëse: Güler dyfishon rivalët
Sipas të dhënave të platformës “HudlStatsBomb”, Arda Güler krijon mesatarisht 8.3 pasime kyçe për çdo 90 minuta lojë.
Shifra është jashtëzakonisht e lartë.
Në vendin e dytë renditet Wesley i Romës me 4.6 raste të krijuara, ndërsa pas tij vijnë Rayan Cherki i Manchester Cityt me 3.9, Michael Olise i Bayern Munichut me 3.5, Martin Odegaard me 3.4 dhe Lamine Yamal i Barcelonës me 3.3.
Pra, Güler jo vetëm që është përpara rivalëve të tij, por në disa raste prodhon pothuajse dyfishin e rasteve.
Edhe statistikat vetëm në La Liga tregojnë të njëjtën gjë.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, turku ka krijuar 24 raste për gol në pesë xhirot e para të kampionatit, kundrejt 18 të Lamine Yamalit.
Güler kryeson edhe për rastet që kanë përfunduar në gola, me gjashtë të tilla, ndërsa Yamal ka pesë.
Vetëm pak minuta, por ndikim i jashtëzakonshëm
Ajo që i bën këto statistika edhe më të veçanta është fakti se Güler i ka arritur ato në vetëm 227 minuta lojë.
Mesatarisht, ai ka qenë në fushë vetëm 45.4 minuta për ndeshje.
Me fjalë të tjera, turkut i mjafton më pak se një pjesë e plotë për të ndryshuar rrjedhën e një takimi.
Ai ishte titullar ndaj Espanyolit, Real Sociedadit dhe Real Betisit, por nuk e përfundoi asnjë prej këtyre ndeshjeve. Paraqitja e tij më e gjatë ishte prej 78 minutash ndaj Sociedadit.
Në ndeshje të tjera është aktivizuar vetëm në fund, por edhe atëherë ka arritur të krijojë raste vendimtare.
Në vetëm rreth 20 minuta lojë në një prej paraqitjeve të tij, ai asistoi Kylian Mbappen me një krosim të shkëlqyer drejt shtyllës së dytë, diçka që asnjë lojtar tjetër i Real Madridit nuk kishte arritur ta bënte gjatë atij takimi.
Nga krahu në organizator të lojës
Roli i Güler po ndryshon gradualisht.
Fillimisht ai shihej kryesisht si një futbollist që mund të luante në krahun e djathtë, por tashmë te Real Madridi konsiderohet gjithnjë e më shumë si një mesfushor kreativ dhe një kandidat për të trashëguar rolin që për shumë vite e mbajti Luka Modric.
Për këtë arsye, ardhja e Franco Mastantuonos nuk është parë si kërcënim i drejtpërdrejtë për turkun, edhe pse të dy mund të veprojnë në zona të ngjashme të fushës.
Ideja është që Güler të luajë më në qendër, përkrah një mesfushori më defensiv si Aurelien Tchouameni.
Jude Bellingham mbetet opsioni kryesor në rolin më ofensiv të mesfushës, ndërsa vizioni, pasimet dhe aftësia e Güler për të kontrolluar ritmin e lojës mund ta shndërrojnë turkun në organizatorin kryesor nga zona më të thella.
Në të kaluarën, Xabi Alonso kishte theksuar rëndësinë e zhvillimit të tij.
“Ka ardhur koha të investojmë në zhvillimin e Ardës. Po e shtyjmë që të fitojë përvojë dhe pjekuri, edhe nëse gjatë këtij procesi bën gabime”, kishte deklaruar ai.
Jo vetëm kreativitet: presing dhe goditje standarde
Güler nuk po përmirësohet vetëm në aspektin ofensiv.
Edhe statistikat e tij në fazën mbrojtëse tregojnë një lojtar më të pjekur dhe më të përkushtuar.
Ai renditet ndër lojtarët më të mirë në La Liga për rikuperimin e topit në të tretën e fundit të fushës, një tregues i rëndësishëm i punës së tij pa top.
Një tjetër armë e fortë janë goditjet standarde.
Kur Güler merr përsipër goditjet e lira dhe këndoret, Real Madridi fiton më shumë saktësi dhe organizim në zonën kundërshtare.
Në një prej ndeshjeve të fundit, menjëherë pas hyrjes në fushë, ai krijoi rrezik nga një goditje e lirë dhe më pas nga një goditje këndi që përfundoi me gol.
Kjo aftësi e bën atë edhe më të vlefshëm për një skuadër që kërkon zgjidhje të ndryshme në fazën sulmuese.
Real Madridi beson te e ardhmja e tij
Drejtuesit e Real Madridit janë të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm të turkut.
Güler shihet si një prej futbollistëve rreth të cilëve mund të ndërtohet mesfusha e klubit në të ardhmen.
Besimi tek ai lidhet jo vetëm me talentin teknik, por edhe me mënyrën se si po zhvillohet në aspektin taktik, fizik dhe psikologjik.
Ai nuk është më thjesht një talent i ri që pret dëmtimin apo mungesën e një ylli për të marrë minuta.
Statistikat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë që ai të injorohet.
Pyetja që Real Madridi nuk mund ta shmangë
Güler po shndërrohet në një nga dilemat më të këndshme për stafin teknik të Real Madridit.
Nga njëra anë, konkurrenca në skuadër është jashtëzakonisht e fortë. Nga ana tjetër, turku po prodhon shifra që e vendosin në mesin e lojtarëve më kreativë të Evropës.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u shmangur në Madrid:
Si mund ta mbash në stol një lojtar që, minutë për minutë, po krijon më shumë raste se pothuajse kushdo tjetër në futbollin evropian?






