Superliga e futbollit do të vazhdojë me xhiron e 15-të, e cuka do të luhet brenda tri ditëve.
Për festën e 28 Nëntorit, të shtunën nuk do të ketë futboll, kurse ndeshjet do të luhen të premten, të dielën e të hënën.
Kjo xhiro do të hapet me një përballje mjaft interesante. Llapi, i cili vjen pas dy fitoresh radhazi, do ta vizitojë Malishevën, e cila edhe në këtë sezon është mjaft e fuqishme.
Mbetet të shihet nëse ekipi i Kastriot Rexhës do t’i mbajë pikët në shtëpi dhe të mbetet në hap me lideren Prishtina, apo skuadra e Tahir Batatinës do ta regjistrojë një tjetër fitore të madhe për t’u ngritur edhe më shumë në tabelë.
Të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera. Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të jetë tek derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës, me dy skuadrat që kanë ambicie të mëdha edhe në këtë sezon.
Kurse, në duelin tjetër të së dirlës, Feronikeli 74 do ta presë lideren Prishtina.
Skuadra nga Drenasi është këndellur në javët e fundit dhe pritet të jetë një “arrë e fortë” për Bardhekaltrit, të cilët sigurisht se në “Rexhep Rexhepi” do t’i kërkojnë tri pikë.
E të hënën do të luhen dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje.
Interesant do të jetë ballafaqimi mes Dukagjinit dhe Ballkanit, ku të dyja skuadrat i kanë gjasat e tyre për të nxjerrë rezultat pozitiv.
Kurse, xhiroja mbyllet me skuadrat që do të mundohen t’i shpëtojnë rënies nga liga, Drenica dhe Vushtrria.







