Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka mohuar raportimet se Gjermania po ushtron presion ndaj Kroacisë që t’i zgjidhë sa më shpejt mosmarrëveshjet dypalëshe me Malin e Zi.
Ai theksoi se Kroacia ka mbajtur një qasje konstruktive ndaj Malit të Zi dhe se dëshiron që bisedimet për çështjet e hapura të vazhdojnë.
“Kancelari Merz nuk ka folur fare për këtë çështje. E mohojmë atë që është shkruar në Euronews. Mendoj se këto janë pasqyrime të disa bisedimeve të zhvilluara në margjinat e këtij takimi, në nivelin e sekretarëve shtetërorë, të cilat u mbajtën para dy apo tri ditësh. Unë jam në këtë detyrë prej 10 vitesh dhe nuk jam nën presionin e askujt, për asnjë çështje. Përkundrazi, shumë vende tregojnë mirëkuptim dhe, në fund të fundit, Kroacia ka dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh konstruktiv”, tha Plenkovićq, raporton RTCG
Ai shtoi se Kroacia është një vend që, gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka humbur tre deri në katër vjet për shkak të bllokadave të caktuara me të cilat është përballur.
“Ne nuk kemi mbajtur një qasje të tillë ndaj Malit të Zi. Përkundrazi, kemi ndjekur një qasje konstruktive, kemi mbështetur negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi që nga viti 2012 dhe kemi ndarë të gjithë legjislacionin e BE-së, jo vetëm me Malin e Zi, por edhe me vendet e tjera të rajonit tonë. Kemi ndihmuar në të gjitha aspektet.
Megjithatë, pasi në fund pranuam mbylljen e përkohshme të kapitullit 21, gjatë disa viteve të fundit kemi paraqitur vazhdimisht pritshmëritë tona për çështjet që duhet të zgjidhen. Tani po i trajtojmë këto çështje pikërisht ashtu siç duhet. Jam i sigurt se fqinjët tanë na kanë kuptuar”, u shpreh ai.
Plenković rikujtoi se Kroacia është një nga vendet që mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe që i përmbahet parimit të përparimit “në bazë të meritave” të secilit vend kandidat.
“Ne besojmë se kjo qasje individuale është shumë e mirë, pra se vendet nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën, por ato që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet t’i përmbushin kriteret.
Në këtë kontekst, gjatë diskutimit u kemi paraqitur kolegëve tanë një sërë çështjesh që lidhen me kapitullin 23, i cili përfshin të drejtat dhe liritë themelore, si dhe kapitullin 31, që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe, natyrisht, në këtë kuadër, edhe me atë që e quajmë marrëdhënie të mira fqinjësore.
Ekzistojnë disa çështje të hapura mes Kroacisë dhe Malit të Zi, që lidhen me parimet dhe vlerat, për të cilat jemi duke zhvilluar dialog me qeverinë e Malit të Zi”, tha ai.
Ai shpjegoi se, me iniciativën e Kroacisë, janë ndryshuar përfundimet e dokumentit, duke dërguar një mesazh realist për kolegët në Mal të Zi që të nisin bisedimet me Kroacinë.
“Bisedimet deri më tani janë zhvilluar nga ministrat Ibrahimović dhe Grlić Radman. Ne dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë dhe të zgjidhim disa çështje të hapura, të cilat, sipas vlerësimit tonë, janë plotësisht të zgjidhshme edhe nga ana e Malit të Zi.
Kemi qenë plotësisht transparentë: gjithçka që kemi deklaruar publikisht në Tivat në fillim të qershorit, ua kemi paraqitur dhe përsëritur kolegëve tanë edhe këtu. Kemi gjetur mirëkuptim dhe presim që këto çështje të zgjidhen”, përfundoi Plenković.






